ASH: Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, rikthen shpresën e drejtësisë te qytetarët

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se vendimi i Gjykatës së Strasburgut me të cilin përfundimisht shfuqizohet falja e ish Presidentit, Gjorgji Ivanov, është një fitore e madhe e shpresës për drejtësi në Maqedoninë e Veriut

“Ky vendim forcon edhe më shumë vendosmërinë tonë, në betejën kundër krimit dhe padrejtësisë, rikthen shpresën te qytetarët dhe godet rëndë të gjithë ata që kanë shpresuar dhe tentuar të bëjnë pazare me drejtësinë në interes të kriminelëve dhe të korruptuarve.

Qytetarët dhe opinioni vendor duhet të jetë i përgatitur edhe për reagimin e strukturave dhe individëve që janë goditur dhe tanimë po rrezikohen nga vendimi dhe nga beteja jonë për drejtësi.

Marrja e përgjegjësisë në sektorin e drejtësisë nga ASH, pa hipoteka në VMRO-DPMNE, paralajmërimi për zbatimin e vetingut, themelimin e Byro-së për konfiskim të pasurisë kriminale dhe gjeneralizimit të sekuestrimit të pronave kriminale, me të drejtë ka krijuar panikë në radhët e partive të kriminalizuara”, thonë nga ASH.

Në përpjekjet e tyre të fundit për të shpëtuar, shtojnë nga ASH, struktura të afërta me ish regjimin e Gruevskit, Mijallkovit dhe VMRO-DPMNE-së së pareformuar, si dhe strukturave tjera kriminale të afërta me to, do të shtojnë intensitetin e sulmeve, shpifjeve dhe manipulimeve. Por edhe kjo si shumë tentime të tjera, do të dështojë dhe në fund do të fitojë drejtësia.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share