ASH: Të shkarkohen ministrat Mexhiti dhe Aliu, bëjnë shantazhe dhe presione!

ASH-ja njofton se Komisioni Kadrovik partiak me shumicë votash ka vendosur t`i propozojë Kryeministrit shkarkimin e dy ministrave që vijnë nga ASH-ja, Fatmir Mexhitin si Ministër I Shëndetësisë dhe Azir Aliun si Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Në arsyetimin e propozimit nga ASH-ja thonë se dy ministrat kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik si dhe koketimin me VMRO-DPMNE-në.

“Komisioni kadrovik i Aleancës për Shqiptarët, i përbërë nga 7 anëtarë, si i vetmi organ i ASH-së për çështje kadrovike, me shumicë prej 5 votash, vendosi t’i propozojë Kryeministrit shkarkimin e Ministrit të Shoqërisë Infornatike dhe Administratës dhe Ministrin e Shëndetësisë. Ky vendim u soll pasi përmes fuqisë së funksionit ministër, por pa poste partiake, dy ministrat kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH dhe të punësuarve, si dhe koketimin e sotshëm publik me VMRO-DPMNE, duke i shkuar në zyrë ministrit të saj”, thonë nga ASH.

Ministri I Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, deklaroi se nuk ka pse të dorëhiqet. Sipas tij, do të përgjigjet vetëm para Kryetarit të Partisë.

“ASH-ja ka Kryetarin legjitim dhe ASH-ja do të vazhdojë me politikat e saja, posaçërisht me politikat shëndetësore që vërtetë ky shtet nuk i ka ndje në 30 vitet e fundit, për këta 11 muaj. A mundet më mirë? Mundet shumë më mirë. Për gjithcka tjetër do të jeni të informuar në organet e partisë. Do t`i ndjekim se si do të ecin rastet. Ne nuk kemi pse të japim dorëheqje prej postit të Ministrit të Shëndetësisë”, tha Fatmir Mexhiti.

Të dielën gjatë konferencës për media, Kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi nga Kryetari Taravari dhe dy ministrat që mbështetën qëndrimin e tij që ASH-ja në zgjedhje të shkojë me opozitën shqiptare. Sipas Selës, vendimi I organeve partiake është që ASH-ja e vetme të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share