Marrëveshja për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar është drejt finalizimit, thonë burime pranë ASH-së, ndërsa siç raporton Agjencia Mediatike Informative nga burime pranë LSDM-së, bisedimet rreth shumicës së re parlamentare janë duke vijuar dhe asgjë nuk është finale, por sapo të ketë diçka në interes të opinionit partia do të informojë zyrtarisht.
Sipas burimeve në Aleancën për Shqiptarët, partia do të bëhet edhe me zëvendësministra të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Mbrojtjes, si edhe dy sekretarë shtetërorë, prej të cilëve njëri është në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa i dyti do të përcaktohet në mënyrë shtesë.
Nga pozitat e drejtorëve që do t’i marrë Aleanca për Shqiptarët janë në “Postën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, MEPSO, Inspektoratin Shtetëror të Arsimit dhe Agjencinë për Menaxhim me pronën e marrë, si edhe zëvendës-drejtorë në Drejtorinë doganore, Drejtorinë për të Ardhura Publike (DAP) dhe EMV.
Paraprakisht, burime partiake për MIA-n informuan se para publikimit të marrëveshjes përfundimtare rreth zgjerimit të shumicës qeverisëse, lideri i LSDM-së dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski do të mbajë takim me partnerët aktual të koalicionit në të cilin do t’i informojë çfarë është dakorduar për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, para së gjithash me Alternativën me përfaqësues të së cilës është duke u biseduar për ofertën që partia të qëndrojë në shumicën qeveritare.
Ministri i Shëndetësisë dhe nënkryetar i Alternativës, Bekim Sali sot deklaroi se partia akoma nuk ka marrë “propozim konkret në tryezë” për pozitat e saj në qeverinë e ardhshme, duke shtuar se nuk kanë informacion për atë se çfarë do të fitonte Aleanca për Shqiptarët për t’iu bashkuar shumicës parlamentare, prandaj dhe nuk mund të komentojë se cilat janë pozitat e Alternativës.
Sipas paralajmërimeve pas takimit me partnerët aktual të koalicionit kryeministri Kovaçevski duhet të ketë takime edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari me qëllim që përfundimisht të precizohen resorët të cilët do t’i drejtojë partia si partner i ri qeveritar.
Burime të Aleancës për Shqiptarët, thanë se marrëveshja finale për t’i bashkuar partia shumicës parlamentare duhet të finalizohet më së voni deri nesër, pasi nga e premtja Taravari shkon në udhëtim zyrtar.