Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sot ndaj MPB-së dhe Njësitit policor “Tigrat”, pasi siç thonë nga kjo parti, kanë rrahur e keqtrajtuar të rinjtë shqiptarë në Shkup. SIç thuhet në reagim, “Tigrat” u kanë shkaktuar plagë të rënda dhe u kanë lënë pasoja afatgjate të rinjve shqiptarë.
“Fatkeqësisht, të gjitha këto rrahje e keqtrajtime përsëriten në vazhdimësi dhe askush nuk jep asnjë sqarim për to. Si në rastin e fundit, ashtu dhe në rastet e tjera, policia nuk ka dëshmuar as veprime të paligjshme, as ndonjë sulm ndaj zyrtarëve policorë, si arsye për këtë sjellje, madje disa raste nuk janë as të regjistruara në buletinin policor. Me këto veprime, njësiti policor “Tigrat”, cili deri më tani ishte i ndaluar për shqiptarët, tani po bëhet edhe i rrezikshëm për ta”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Nga kjo parti thonë se e ftojnë publikisht ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, zëvendësin e tij Nazim Bushin, si dhe Sektorin për kontroll të brendshëm në MPB që fillimisht të marrin masa për të parandaluar këtë sjellje të dhunshme të policisë, e më pas t’i zbardhin rastet e regjistruara deri më tani dhe t’i sanksionojnë policët që kanë përdorur këto metoda të dhunshme./KlanMacedonia