ASH krahu i Ziadin Selës: Isen Shabani ndaloi punimet ilegale në kishën e Gallatës, VMRO nxit tensione dhe destabilizim

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës kanë reaguar ndaj ngjarjeve të ditës së sotme ku disa protestues maqedonas në mënyrë të dhunshme tentuan të futen në zyrën e kryetarit të Vrapçishtit, Isen Shabanit dhe siç thonin ata të bisedojnë për kishën ortodokse të atarit të fshatit Toplicë.

Këto protesta nga ASH i quajnë të nxitura politikisht për të krijuar tensione ndëretnike dhe ndërfetare në vend nga qeverisja aktuale.

Reagimi i plotë:

Dalldisja e Qeverisë monoetnike dhe antishqiptare, për të mbjellur kryqa e kisha në çdo vendbanim, duke uzurpuar pronë publike dhe pa leje e dokumentacion të nevojshëm, është një nga format më të rrezikshme që cënojnë marëdhëniet ndëretnike dhe shkaktojnë tensione në vend.
Pasi Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani dhe inspektorati komunal ndaluan punimet ilegale dhe uzurpimin e tokës në afërsi të kishës së Gallatës, VMRO ka mobilizuar militantë nga Gostivari dhe kanë bllokuar objektin e Komunës së Vrapçishtit duke kërcënuar dhe rrezikuar edhe kryetarin e komunës. A është kjo edhe një dëshmi se Mickovski dhe partnerët e tij dëshirojnë me çdo kusht skenare për destabilizim? U bejmë thirrje t’i tërheqin njerëzit nga objekti i Komunës dhe të ndalin provokimet nga persona të dyshimtë. I bëjmë thirje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të mos bëjnë rolin e spektatorit, por t’i largojnë uzurpatorët nga komuna.
Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka mbështetjen tonë të plotë në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e pronës publike dhe rrezistencën ndaj çdo forme të kërcënimit ose presionit nga kushdoqoftë.

– Aleanca për Shqiptarët –

Lexo gjithashtu
Total
0
Share