“PËR MOMENTIN QEVERIA FUNKSIONON ME 64 DEPUTETË”
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se për momentin nuk është në bisedime me ASH-në që kjo parti të bëhet pjesë e Qeverisë. Por, eksponentë tjerë të lartë të socialdemokratëve kanë paralajmëruar rritjen e shumicës parlamentare. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për mos`harmonizim të qëndrimeve ose për taktizime të Qeverisë që të mos cënohen negociatat me ASH-në. Kjo dilemë u imponua pas takimit të liderëve, ku partneri I koalicionit qeveritar, Pavle Trajanov, deklaroi se një parti me tetë deputetë pret të hyjë në Qeveri.
Për momentin Qeveria funksionon me 64 deputetë dhe gjithçka që shkruhet për rikonstruimin e Qeverisë ka të bëjë me spekulime – ka deklaruar Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me shkrimet në media për rikonstruimin e Qeverisë deri në Vitin e Ri.
“Nuk i kam parë shkrimet në media. Për momentin, Qeveria funksionon me 64 deputetë dhe kjo u konfirmua me zgjedhjen e Ministrit të ri për Vetadministratë Lokale. Unë si Kryeministër I cili propozon ministra në Qeveri, nuk kam patur bisedime lidhur me rikonstruimin e Qeverisë, kështu që gjithçka që shkruhet për momentin nëpër media është në suaza të spekulimeve” – tha Kovaçevski.
Disa media shkruajnë se në vazhdë e sipër janë bisedimet me ASH-në për hyrjen e tyre në Qeveri me qëllim të rritjes së shumicës parlamentare për të siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Sipas shkrimeve të mediave, LSDM-ja, BDI-ja dhe Alternativa duhet të lirojnë nga një Ministri me qëllim që ASH-ja të fitojë tre ose katër pozita të Ministrave. /KlanMacedonia/