KËRKOHET DORËHEQJA E DY FUNKSIONARËVE
Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar zëvendëskryministrin Artan Grubi dhe drejtorin e Ndërmarrjes Rrugët Shtetërore, Ejup Rrustemi për rrezikimin të rëndë të sigurisë kombëtare, pasi ua kanë dhënë oligarkëve të Putinit tenderin për korridoret 8 dhe 10. Përkatësisht, siç tha deputeti Syrja Rashidi, konzorciumi i përzgjedhur për këtë tender udhëhiqej nga Instituti IGH me seli në Zagreb dhe pronë e oligarkëve rusë të afërt me pushtetin e Vladimir Putinit dhe FSB-në ruse.
“Kush qëndron pas konsorciumit të udhëhequr nga Instituti IGH? Mjafton një vizitë e thjeshtë në faqen e internetit të kompanisë për të parë se bordi mbikëqyrës i kompanisë përbëhet nga tre shtetas rusë: Sergej Glijadelkin, Marijan Tkaç dhe Igor Tkaç. Kryetar i bordit drejtues është Robert Petrosian, një tjetër individ me origjinë nga ish-BRSS, i shkolluar në Uzbekistan dhe me përvojë të gjatë në kompanitë kryesore ruse”, deklaroi Syrja Rashidi, deputeti i ASH-së.
Ai më tej shtoi se, Grubi si përgjegjës politik dhe Rustemi si përgjegjës administrativ, kanë rrezikuar në mënyrë të paprecedentë sigurinë kombëtare duke kontraktuar Institutin IGH për të mbikëqyrur punën e Bechtel-Enkës.
“Fatmirësisht, kontrata dështoi sepse Instituti IGH nuk depozitoi me kohë garancinë bankare të paraparë në kontratë, me shumë gjasa për shkak të bllokimit të asetëve si pasojë e sanksioneve financiare ndaj Rusisë. Por kjo nuk e zhbën këtë skandal të përmasave të papara deri më tani në rrethanat të cilat gjinden Evropa dhe bota. Një sistem i tërë ka dështuar në detektimin e kësaj tentative infiltrimi malinj nga ana e Kremlinit dhe FSB-së”,deklaroi Syrja Rashidi, deputeti i ASH-së.
Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e menjëhershme të zyrtarëve të lartpërmendur dhe i bën thirrje Prokurorisë Publike që të hetojë këtë rast./KlanMacedonia/