Kanë mbërritur në Kosovë 3 efektivët e policisë që u rrëmbyen nga autoritetet serbe. Këto janë pamjet nga pika kufitare e Merdares nga ku shihet se ata po shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin dhe janë të entuziazmuar për lirimin. 3 policët e Kosovës po shoqërohen nga automjete dhe trupa policore.
Gjykata e Kralevës në Serbi konfirmoi sot aktakuzën kundër tre policëve kosovarë Beqir Sefi, Rifat Zeka dhe Mustafë Shemi për veprat penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse. Nëse këto vepra penale provohen, ata rrezikojnë dënim me burg deri në 12 vjet.
Pavarësisht kësaj, gjykata serbe vendosi që të pezullojë paraburgimin e tyre dhe që tre të akuzuarit të mbrohen në gjendje të lirë. Tre policët, pjesë e forcave speciale të Kosovës, u arrestuan më 14 Qershor, pasi sipas gjykatës serbe, ndodheshin më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë qendrore.
Pas arrestimit, qeveria kosovare pretendoi se ata u rrëmbyen në territorin e Kosovës pranë një tryeze të improvizuar ku po konsumonin drekën, ndërsa pala serbe ka deklaruar se policët kosovarë u arrestuan në territorin serb.
Arrestimi nga Serbia i tre policëve Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi nxiti reagime të shumta në arenën ndërkombëtare që kërkuan lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte.
Sot përmes një postimi në Twitter, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se edhe pse janë të gëzuar që policët po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet.
Sipas tij, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi, për një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut./tvklan.al