Arrihet marrëveshja për dërgesat e ndihmave në Gaza

Katari dhe Franca ndërmjetësuan me Izraelin dhe Hamas për të ofruar mjekim urgjent për pengjet

Katari dhe Franca kanë ndërmjetësuar një marrëveshje me Izraelin dhe grupin islamik palestinez Hamas për të ofruar mjekim urgjent për rreth 45 pengje izraelitë të mbajtur nga grupi në Gaza në këmbim të ndihmës humanitare dhe mjekësore për civilët më të cënueshëm.

Të dy vendet kanë deklaruar se ndihma do të niset nga Katari për në Egjipt përpara se të kalojë përmes pikës kufitare Rafah. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha në një deklaratë se marrëveshja do të nënkuptojë se “ilaçet së bashku me ndihmat e tjera humanitare do t’u dërgohen civilëve në Rripin e Gazës, në zonat më të prekura dhe më të cënueshme, në këmbim të dërgimit të mjekimeve të nevojshme për pengjet izraelitë”.

SHBA shpreson që bisedimet e mëtejshme mund të çojnë në lirimin e më shumë pengjeve. I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme ka qenë në Katar për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje të tillë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Philippe Lalliot, kreu i qendrës së krizës në ministrinë e Jashtme të Francës, e cila organizon përpjekjet për ndihma, tha se negociatat kishin vazhduar për javë të tëra dhe ideja fillestare kishte ardhur nga familjet e disa prej pengjeve izraelite. Secilit prej 45 pengjeve do t’i dorëzoheshin paketa specifike mjekësore për disa muaj, ndërsa Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të koordinojë në terren.

Megjithatë ky mjekim që do të shkojë te pengjet specifike sipas Hamasit ndoshta mund të gjurmohet, që Izraeli të zbulojë se ku janë ata të burgosurit.

Pavarësisht marrëveshjes së arritur bombardimet vijojnë në enklavën e rrethuar. Të paktën 23 palestinezë u vranë në Khan Younis si dhe në Gazën qendrore ndërsa forcat izraelite rrafshuan dhjetëra shtëpi banimi dhe dëmtuan spitalet Nasser dhe Al-Amal. Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka deklaruar se “faza e saj intensive” e operacioneve ka përfunduar në veri të Rripit të Gazës, por ende duhet kohë për të zhdukur të gjithë anëtarët e Hamasit.

Ndërkaq një sulm me dron në kampin Balata pranë Nablusit, në Bregun Perëndimor i mori jetën disa anëtarëve që sipas ushtrisë izraelite konsideroheshin “celule terroriste”. Analistët paralajmërojnë një “përshkallëzim të rrezikshëm” në rajon pasi dy fëmijë u raportuan të vrarë nga një sulm iranian me dron në territorin e Pakistanit. Gjithashtu kriza humanitare vijon të thellohet dhe ekspertët e të drejtave të OKB-së kanë bërë të ditur se “çdo person në Gaza është i uritur”.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share