Policia e Kosovës ka arrestuar të shtunën në veri të Kosovës një person të nacionalitetit serb nën dyshimin për djegie të veturave e sulm ndaj policisë, si vepër të kryer më herët.
I arrestuari është M.B. 1987, ka njoftuar Policia.
I arrestuari po dyshohet për plagosjen e dy policëve me armë zjarri gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës kohë më parë.
Ai është në listën e të dyshuarve edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin-Potokut, të cilat ishin regjistruar me targa RKS.
Ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal për katër vepra penale: “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Ditëve të fundit janë raportuar disa djegie të veturave në katër komunat veriore, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit, ku Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë. Ka pasur reagime ndërkombëtare që kanë dënuar këto veprime në veri.
Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.
Atëbotë në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha veturat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.
Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.
Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i veturave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për veturat që qarkullojnë në Kosovë.