Arratisja e Grubit! Mickoski: S’ka asnjë bazë që Grubi të fitojë azil politik!

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se ish-Zv/Kryeministri, Artan Grubi, është futur në listën e zezë të SHBA-së, për shkak të dyshimeve për krim, e jo për arsye politike. Mickoski nuk mendon se Grubi do të marrë azil politik në ndonjë shtet për të shmangur përballjen me drejtësinë.

“Personi është në listën e sanksioneve amerikane. Shprehen qartë arsyet pse ai është në listën e sanksioneve – për shkak të dyshimit të bazuar për një krim të kryer. Për shkak të atij dyshimi të bazuar për kryerjen e veprës penale. Prokuroria ka nisur hetime ndërsa gjykata siç jam i informuar, ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Pra, këtu nuk po flasim për arsye politike, por padyshim ka diçka ndryshe nga politika, pra ekziston dyshimi i bazuar për krim të kryer. Nuk pres që të ndodhë, por gjithsesi është vendim i atyre që do të hynin në procedurë të tillë”, deklaroi Hristijan Mickoski kryeministër.

Partia opozitare LSDM akuzon VMRO-DPMNE për marrëveshje politike me BDI-në për arratisjen e Grubit.

 “VMRO-ja duhet të tregojë se cila është marrëveshja politike dhe çmimi për lirimin e Grubit? Pse heshtin VMRO-DPMNE dhe Toshkovski për faktin se “rastësisht” nuk funksionuan kamerat, “rastësisht” policia nuk dinte kë duhet të kontrollonte, “rastësisht” kufitari gaboi, përndryshe staf i Toshkovskit. Kufiri me Kosovën ka konfirmuar se meqenëse VMRO-DPMNE është në pushtet është kanali kryesor i arratisjes së kriminelëve. Ndoshta ka ardhur koha që të hapet plotësisht që të mos harxhohen para për mirëmbajtje, kështu që qytetarët të kenë një lloj përfitimi”, thonë nga LSDM.

Ndërkaq, në reagimin e BDI –së ditë më parë akuzuan qeverinë aktuale në krye me VMRO-DPMNE se refuzon ta miratojë Ligjin për Masa Restriktive, që parandalon që personat e sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja të kenë qasje në jetën politike dhe resurset publike.

Kryeministri Mickoski iu përgjigj integristëve duke thënë se ai ligj është në kundërshtim me kushtetutën, sipas tij, ligjet e vendit janë të mjaftueshme për ndjekjen e korrupsionit. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share