Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo do të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite.
“Daily Mail” ka raportuar të mërkurën se Ronaldo edhe zyrtarisht ka arritur marrëveshje me skuadrën Al Nassr, e cila së shpejti do të bëhet zyrtare.
37-vjeçari ekipit arab do t’i bashkohet pas përfundimit të Kampionatit Botëror “Katari 2022” si lojtar i lirë, pasi tashmë e ka shkëputur kontratën me Manchester Unitedin.
Me ekipin Al Nassr, Ronaldo do të firmosë kontratë për dy vjet e gjysmë dhe do të luajë deri në moshën 40-vjeçare.
Paga e tij te Al Nassr do të jetë astronomike, pasi Ronaldo do të paguhet hiç më pak se 206 milionë euro në vit.
Al Nassr është një prej skuadrave më të suksesshme në Arabinë Saudite, ndërsa ka arritur ta joshë Ronaldon me ofertën e majme.
Thuhet se portugezi ka pasur oferta edhe nga SHBA-ja, por ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite për shkak se ekipet nga Evropa nuk kanë qenë të interesuara në shërbimet e tij.