Apple bëhet “Made in India”

Apple ka nisur prodhimin e iPhone 14 në Indi duke u larguar nga zinxhiri i furnizimeve në Kinë.

Kompania prodhon pjesën më të madhe të celularëve në Kinë, por ka zhvendosur prodhimin jashtë vendit nga rritja e tensioneve mes Uashingtonit dhe Pekinit. Politikat “zero Covid” të Kinës kanë nxitur karantinën në mbarë vendin dhe kanë shkaktuar mjaft probleme për biznesin gjatë pandemisë.

Gjigandi teknologjik prezantoi iPhone 14 më 7 Shtator. “Modelet e reja të iPhone 14 sjellin teknologji të reja novatore dhe aspekte të rëndësishme të sigurisë. Jemi të lumtur që po prodhojnë iPhone 14 në Indi”, njoftoi kompania.

Foxconn, me qendër në Tajvan, që prodhon pjesën më të madhe të celularëve, ka zhvilluar një operacion në shtetin indian Tamil Nadu që prej vitit 2017, ku fabrikohen versionet më të hershme të iPhone.

Me hapin për të bërë Indinë si fabrikues kryesor të modeleve të reja, nisur me iPhone 14, Apple rrit vlerën e saj në tregun vendas. Vitin e kaluar, aksionet e kompanisë në treg arritën 4%.

Kompania amerikane has vështirësi përballë konkurrentëve më të lirë koreanë dhe kinezë, të cilët dominojnë tregun e “smartphone” në Indi. Megjithatë, fabrikimi i iPhone 14 atje nuk ka për të ulur kostot për indianët për shkak të pagesave të larta për doganat dhe taksa të tjera.

Pra, ndërsa indianët mezi presin të shohin etiketën “Made in India” në iPhone-n e tyre, ende do duhet të paguajnë një shumë të majme për ta pasur./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share