Të zhvendosurit shprehen se ushqehen vetëm njëherë në ditë ndërsa sëmundjet janë përhapur në strehimoret
Banorët e Gazës tanimë po zhvendosen më në jug drejt Rafahut, teksa askund nuk ka asnjë vend të sigurtë. Me strehimore të mbipopulluara, familjet janë të detyruara të racionojnë ushqimin edhe pse të pakët, ku shumica hanë vetëm një herë në ditë. Disa prej tyre kanë shfaqur probleme me shëndetin gjatë ditëve të fundit. OBSH ka deklaruar se sëmundjet munnd të rrisnin numrin e viktimave teksa edhe moti është ftohur.
“Unë jam një nga ata që u shpërngulën nga bombardimet dhe erdha këtu për të gjetur ndopak ushqim. Por siç e shihni edhe këtu nuk ka asgjë, madje në këtë vend as kafshët nuk mund të jetojnë. Sëmundjet kanë nisur të bien në të gjitha strehimoret përreth për shkak të kushteve të këqija dhe mungesës së ujit”.
Në një shkollë në Rafah, njerëzit varin ato pak veshje që ju kanë mbetur në ballkone dhe tendat mbulojnë oborrin ku strehohen burra, gra dhe fëmijë të zhvendosur nga bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës. Që nga përfundimi i një armëpushimi njëjavor më 1 dhjetor, fluksi i kamionëve të ndihmës nga Egjipti në Gaza është zvogëluar.
“Unë nuk jam duke kërkuar kushte të sigurta jetese, apo të mbrohem nga vdekja. Po kërkoj të siguroj të paktën një ushqim që mund të hamë unë dhe familja ime. Ndihmat që vijnë janë shumë të pakta në krahasim me atë që ne kërkojmë. Për 10 persona që mund të ketë një familje një kanaçe me fasule apo mish që sjellin autoritetet këtu nuk mjafton”.
Zyra humanitare e OKB-së OCHA ka deklaruar se për katër ditë radhazi, Rafah në kufirin me Egjiptin është e vetmja rrugë ku shpërndahen ndihmat. Sipas të palestinezëve të zhvendosur fëmijët flenë të uritur dhe zgjohen të uritur.
“Ne mund të kalojmë ditë pa ushqim, ndonjëherë një ose dy ditë pa ushqim. Nuk ka ushqim, nuk ka ujë. Jeta këtu është më e vështirë se sa duhet. Nëse do të gjeja bukë për fëmijët e mi, do të ishte si të kisha një kile ar. Situata është katastrofike. Fëmijët e mi janë të dehidratuar për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit. Një nga ata humbi shtatë ose tetë kilogramë, jeta është shumë e vështirë”.
Të zhvendosurit u grumbulluan në Rafah në kufirin me Egjiptin, duke parë fletëpalosjet dhe mesazhet izraelite duke thënë se ata do të ishin të sigurt në qytet. Por mjekët dhe të afërmit thanë se sulmet ajrore izraelite vijojnë të vrasin civilë kryesisht ata që janë të zhvendosur nga veriu. Ofensiva e përgjakshme që nisi menjëherë pas përfundimit të armëpushimit ka vrare qindra civilë dhe ka plagosur mijëra të tjerë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar e përshkruan si “apokaliptike” situatën në Gaza.
Klan News