Aplikimi në BE, eurodeputeti austriak: Kosova e ka vendin në Bashkim Evropian

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka mirëpritur aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili u nënshkrua sot nga tre liderët e shtetit.

“Shteti më i ri në Evropë, Republika e Kosovës, po ndërmerr një hap të rëndësishëm në kohën e duhur”, ka thënë eurodeputeti Mandl, në deklaratën që ka publikuar Partia Popullore Evropiane (EPP).

Tutje, Mandl deklaroi se Kosovës duhet hapur rruga për anëtarësim në Bashkim Evropian, pasi tha se “Republika e Kosovës vendin e ka në Evropë”.

“Republika e Kosovës vendin e ka në Evropë, qytetarët e së cilës përfaqësojnë vlerat e BE’së. Të punojmë që institucionet e sotme të BE-së të kenë sukses e të ndjekin frymën vizionare dhe t’i hapin rrugën Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Unë kam besim se mes institucioneve të BE-së, do të jetë Parlamenti Evropian ai që do kryeson rrugën e këtij procesi”, ka thënë ai.

Krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë nënshkruar sot aplikimin e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ky aplikim pritet të dorëzohet më 15 dhjetor në Republikën Çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së

Lexo gjithashtu
Total
0
Share