Apeli: Kriza e klimës të shpallet emergjencë shëndetësore

Në më shumë se 200 revista shkencore, studiuesit i kanë drejtuar një apel Organizatës Botërore të Shëndetësisë të shpallë krizën e klimës si emergjencë shëndetësore globale.

Studiuese dhe studiues nga e gjithë bota i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH që të shpallë krizën e klimës si gjendjen emergjence shëndetësore globale. Ndryshimi i klimës favorizon ndër të tjera edhe përhapjen e sëmundjeve dhe vështirëson sigurimin e ushqimit, sipas tyre.

Më shumë se 200 revista shkencore e publikuan njëkohësisht apelin e studiuesve që kjo gjendje emergjence të shpallet para pranverës 2024, kohë kur zhvillohet edhe Asambleja e Përgjithshme e OBSH. Këtu bëjnë pjesë edhe revista të njohura si “The Lancet” apo”The British Medical Journal”.

Sipas studiuesve është gabim i rrezikshëm të vështrohen ndarazi kriza e klimës dhe ajo natyrore, thuhet në apel. Shëndeti njerëzor dëmtohet direkt si nga kriza e klimës edhe nga humbja e llojeve në natyrë. “Kjo krizë e pandashme planetare do të ketë efekte të mëdha në shëndet, sepse mund të shkatërrojë sistemet sociale dhe ekonomike“, shkruajnë autorët.

Sëmundjet, mungesa e ujit dhe ushqimit

Ndryshimi i klimës çon sipas kësaj në “zvogëlimin e tokës, strehimit, ushqimit dhe ujit.” Kjo do të ketë efekte të mëdha në shëndetin njerëzor dhe do të ashpërsojë varfërinë, “që më tej çon në migracion masiv dhe konflikte.” Edhe rritja e temperaturave dhe ekstremet e motit çojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Ndotja e mjedisit dëmton burimet ujore, për shkak të ndotjes së deteve do të ulet numri i peshqve si ushqim. Reduktimi i larmisë së llojeve do e bëjë të vështirë që njerëzimi të ushqehet në mënyrë të shëndetshme, theksojnë studiuesit. Më shumë ndërhyrje në zonat natyrore e sjell njeriun në kontakt më të ngushtë me shumë lloje. Me këtë rritet rreziku i sëmundjeve dhe kalimit të parazitëve tek njeriu. Sipas studiuesve, sistemet ekologjike do të jenë para kolapsit dhe efekti për shëndetin katastrofik. “Vendimmarrësit politikë duhet që të dallojnë rreziqet e kërcënimeve të rënda për shëndetin nga kriza planetare dhe avantazhet për shëndetin në rast se kriza mposhtet.”

Shpallja e një gjendjeje emergjence shëndetësore është shkalla më lartë e alarmit që OBSH mund të japë. Një gjë të tillë Organizata Botërore e Shëndetësisë e bëri gjatë pandemisë së Coronës./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share