Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që pritej të mbahej ditën e sotme në Gjakovë u anulua. Ftesa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të ndryshuar formatin e takimit duket se ka qenë arsyeja kryesore të këtij vendimi.
“Rama gjatë konferencës theksoi se Kurti nuk e kishte pranuar një tjetër ftesë të tij për të zhvilluar një takim me disa prej ministrave të kabineteve qeveritare ku në fokus do të ishin zhvillimet në veri të Kosovës”, raportoi nga Tirana gazetarja Klesiana Omeri.
E pikërisht fokusi, sipas kreut të qeverisë shqiptare duhet të jetë pikërisht në këtë çështje dhe jo “të krijohet një realitet i rremë”. Rama shtoi gjatë një konference që zhvilloi të martën mbrëma se Kosova “po tkurret çdo ditë e më shumë në sytë e ndërkombëtarëve”. E po ashtu paralajmëroi sanksione të forta ndaj Prishtinës zyrtare dhe theksoi se angazhimi i tij në këtë moment po bëhet për të shmangur këtë gjë.
Kujtojmë që kryeministri Rama i ka dërguar kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një draft propozim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp ku njoftoi anulimin e mbledhjes
Vendimi i qeverisë shqiptare për anulimin e mbledhjes nuk është mirëpritur në Kosovë. E para që ka reaguar ka qenë qeveria e Kosovës që e ka konsideruar vendimin “të njëanshëm”.
“E para ishte qeveria e Kosovës që reagoi duke thënë se takimet mund të ndodhnin çdo ditë, edhe brenda ditës sepse kanë ndodhur edhe më parë, por është hera e parë që anulohet një mbledhje në mënyrë të njëanshme”, raportoi nga Prishtina gazetarja Blerta Dalloshi Berisha.
Vendimin për anulimin e mbledhjes, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar alarmuese dhe ka hedhur kritika drejt kryeministrit Albin Kurti.
“Kritikat janë hedhur në anën e kryeministrit Kurti nga ana e PDK-së, duke thënë se nuk i ka mbajtur raportet as me Shqipërinë”, raporti Blerta Dalloshi Berisha.
Një reagim ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që thotë se Kryeministri Kurti është duke “e izoluar veten madje edhe nga aleati ynë, apo vendi siç është Shqipëria”.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një reagim, por jo direkt sa i përket anulimit të mbledhjes.
“Ka reaguar duke thënë që Kryeministri Kurti është duke izoluar veten dhe duhet të ketë bashkërendim me ndërkombëtarët sa i përket çështjes së veriut të Kosovës”, raportoi gazetarja Dalloshi Berisha.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar mes dy homologëve Rama-Kurti, madje institucionet në Kosovës theksuan se edhe njoftimin e anulimit të mbledhjes e morën gjatë komunikimit publik që pati Rama.
“Nuk ka ende një datë konkrete se kur mund të zhvillohet, por sipas Ramës kjo është diçka që pret për aq kohë janë marrëveshje që mund të nënshkruhen edhe pa bërë takime mes dy kabineteve qeveritare”, raportoi gazetarja Klesiana Omeri.
Këto marrëveshje kanë mbetur në plan të dytë pas propozimit për Asociacionin.
“Mbetet për t’u parë në vijim se si do të jetë axhenda e të dyja palëve, apo edhe vullneti për të organizuar këtë mbledhje mes qeverive, duke qenë se fokusi kryesor është tek draft asociacioni dhe tek zhvillimet në veri të Kosovës”, raportoi Omeri.
Ndërsa nga Prishtina, gazetarja Dalloshi Berisha thotë se ka bërë përpjekje për të pasur një reagim nga Kurti. Por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Madje nga analistët atje, anulimi i mbledhjes konsiderohet nga sanksionet e para, por që ka ardhur nga Shqipëria.
“Nuk kemi asgjë konkrete lidhur me këtë. Edhe vetë anulimi i mbledhjes konsiderohet si një nga sanksionet e para, por që ka ardhur nga Shqipëria. Opinioni këtu e kupton sepse Shqipëria është një vend aleat i NATO-s dhe nuk mund t’i prishë raportet me ndërkombëtarët për një kryeneçësi, siç thuhet të kryeministrit Kurti. Kritika ka të mëdha drejt kryeministrit Albin Kurti për kokëfortësinë e tij në raport dhe izolimin që është duke i bërë Kosovës në raport me faktorët ndërkombëtarë”, tha Blerta Dalloshi Berisha.
Ditën e sotme ishte rënë dakord që të mbahej mbledhja e radhës mes dy qeverive. Ajo pritej të niste rreth orës 11:30 dhe do të zhvillohej në Bibliotekën e qytetit të Gjakovës. Slogani i kësaj mbledhje të radhës ishte “Të përbashkuar në Gjakovë”./tvklan.al