Ambasadori rus: Statusi final për Kosovën përcaktohet pas përfundimit të konfliktit Perëndim-Rusi

Beograd, 8.02.2023. – Ambasaror Rusije u Srbiji Aleksandar Bocan-Harcenko obraca se novinaru novinske agencije Beta tokom intervjua, danas u Ambasadi Rusije u Beogradu. Uz intervju Bete. (BETAPHOTO/MILOS MISKOV/DS)

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko deklaroi sot se “statuti përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet” siç tha ai “në kushte të tjera gjeopolitike”, pas përfundimit të “konfliktit me Perëndimin në territorin e Ukrainës”, në të cilin ”Rusia me siguri do të fitojë”.

Në një intervistë për agjencinë Beta, Botsan-Harchenko tha se e kupton që propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Për dallim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plani franko-gjerman nuk është bazë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës. Dhe ky plan, si gjithë të mëparshmet, parasheh lëshime të njëanshme nga Beogradi, në radhë të parë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur për të komentuar qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se ai do të marrë pjesë në procesin e zbatimit të propozimit franko-gjerman, ambasadori rus tha se ai e kupton se Beogradi ishte “veçses i gatshëm” për të vazhduar bisedimet bazuar në atë propozim, shkruan Danas.

“Unë mendoj se për presidentin e Serbisë vetëm disa pika të atij plani janë të pranueshme për diskutim dhe zbatim. Në çdo rast, pikat që parashikojnë njohje ndërkombëtare nuk janë të pranueshme për Serbinë. “Për Perëndimin, pika më e rëndësishme është ajo që parasheh anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, tha ambasadori.

Në pyetjen nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, në qoftë se presidenti Vuçiç pranon të gjitha pikat e planit franko-gjerman, Botsan-Kharchenko tha se për Rusinë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, do të jetë pozicion i rëndësishëm i Beogradit.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë, presidenti Vuçiç ishte i vendosur dhe i qartë se e hodhi poshtë planin franko-gjerman. Nuk e di pse media të caktuara theksojnë se presidenti Vuçiç mund ta pranojë atë plan kur tha se është i papranueshëm për Beogradin. Nuk mendoj se ka as më të voglin mundësi që Serbia të pranojë planin franko-gjerman”, tha Botsan-Kharchenko.

Por, cilat do të ishin kushtet, në bazë të cilave Rusia do të pranonte që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, Botsan-Kharchenko tha se Rusia nuk e njeh Kosovën.

“Tash është e pamundur t’i përgjigjemi pyetjes suaj, sepse askush nga ne në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë. Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë Kosovën ”, theksoi ambasadori rus.

Ai shtoi se kushtet e reja gjeopolitike do të jenë rezultat i “të gjitha ngjarjeve aktuale” në skenën ndërkombëtare.

“Në konfliktin mes Perëndimit dhe Rusisë, Rusia me siguri do të fitojë. Rusia nuk po bën luftë kundër Ukrainës, por është në konflikt me Perëndimin në territorin e Ukrainës. Siguria evropiane në tërësi do të varet nga rezultati i atij konflikti. Jemi të bindur se do të vendoset një rend i ri ndërkombëtar multipolar, në të cilin Perëndimi nuk do të luajë një rol vendimtar. Kurse, tashi Uashingtoni po përpiqet ta zgjidhë çështjen e Kosovës përmes planit franko-gjerman, por në rrethanat aktuale kjo nuk është e mundur”, tha Botsan-Kharchenko.

Ndërsa, në pyetjen se pse Rusia nuk është e përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ambasadori rus tha se Rusia është përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e këtij problemi që nga dita e parë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

“Për shkak të marrëdhënieve armiqësore mes Rusisë dhe Perëndimit, një format i përbashkët nuk është i mundur, por Kosova është ende në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Zgjidhja përfundimtare për Kosovën nuk është e mundur pa mbështetjen e KS-së dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment”, tha Botsan-Kharchenko.

Duke folur për marrëdhëniet politike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ambasadori rus në Serbi tha se këto marrëdhënie janë mbajtur në nivel të lartë.

“Bashkëpunimi me Serbinë po përparon në të gjitha sferat dhe ka dialog në të gjitha nivelet. Gjëja më e rëndësishme për ne është se Beogradi nuk vendosi sanksione ndaj Federatës Ruse, pavarësisht presionit nga Perëndimi. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin e pavarur të Beogradit për këtë çështje. Serbia është e rrethuar nga anëtarët e BE-së dhe NATO-s dhe për këtë kemi pasur pengesa në bashkëpunimin ekonomik në një periudhë, por në ndërkohë këto probleme janë tejkaluar”, tha ambasadori rus.

Ai shtoi se Rusia ishte “e zhgënjyer” kur Serbia votoi për rezolutën e OKB-së që dënonte “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë. “Pavarësisht nga këto pengesa, ne vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunim të mirë me Serbinë”, theksoi Botsan-Kharchenko.

Kurse, në pyetjen për të komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan Christopher Hill se lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë po dobësohen dita-ditës, Botsan-Kharchenko tha se kjo nuk është e vërtetë. “Diplomatët perëndimorë nuk kanë asnjë provë për të konfirmuar tezat e tyre kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ruso-serbe. Kemi shumë dëshmi se marrëdhëniet tona po zhvillohen”, tha ambasadori rus.

Në përgjigje të deklaratës së agjencisë “Beta” se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk përjashtoi mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse në fjalimin e tij të fundit publik, Botsan-Kharchenko tha se qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiç “momentalisht kanë një qëndrim të prerë” se sanksionet nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë.

“Presidenti Vuçiç është nën presion të madh nga vendet perëndimore, por tani për tani nuk kemi asnjë indikacion se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Shumica absolute e popullit serb është kundër vendosjes së sanksioneve dhe dihet se presidenti Vuçiq para së gjithash merr parasysh mendimin e popullit”, tha ai.

Por, i pyetur se cila do të ishte përgjigjja e Moskës nëse Serbia vendos të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Botsan-Kharchenko tha se shumë vende që vendosën sanksione ndaj Rusisë pësuan automatikisht dëme më të mëdha ekonomike se Rusia.

Por, në pyetjen nëse është realiste që Serbia të qëndrojë politikisht neutrale për shkak të rrethanave të reja ndërkombëtare pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Botsan-Kharchenko tha se këtë status e ka konfirmuar presidenti Vuçiç.

“Serbia ka qenë neutrale në lidhje me rrethanat e reja ndërkombëtare për një vit dhe ka arritur mirë në atë status”, tha ambasadori rus.

Në përgjigje ndaj deklaratës së “Betas” se rruga evropiane e Serbisë është ndalur për shkak të statusit të saj neutral, Botsan-Kharchenko tha se Serbia është përballur me dy probleme sa i përket integrimit evropian.

“Perëndimi nuk pranon që një vend që është kandidat për anëtarësim në BE të ketë politikën e tij të jashtme. Brenda BE-së, përjashtimi i vetëm është Hungaria. Perëndimi po kërkon nga Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën në kushtet perëndimore. Aktualisht, për Perëndimin është prioritet që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për të thyer miqësinë tradicionale mes dy vendeve tona”, përfundoi ambasadori Aleksandar Botsan-Kharchenko.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share