U përmbyll hapi i parë dhe më i rëndësishëm i vendimarrjes në gjirin e Bashkimit Europian për vendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian arritën dakortësinë për t’i dhënë një mandat Këshillit të ministrave për të negociuar me Parlamentin Europian lidhur me një rregullore për udhëtimin pa viza për qytetarët e pajisur me pashaporta të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Rregullat e përfshira në draft vendimin do t’i mundësojnë qytetarët e Kosovës që janë të pajisur me pashaporta të udhëtojnë në BE pa vizë për një qëndrim prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të sistemit europian të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Cështja e liberalizimit të vizave për Kosovën kaloi si pikë A, pa diskutim në gjirin e ambasadorëve të përhershëm të shteteve anëtare. Në bazë të këtij mandati, presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.
“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, migracionin. menaxhimin dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”. Ka deklaruar ministër çek i punëve të jashtme Jan Lipavsky.
Përgatiti: Erisa Zykaj – tv Klan Bruksel