Ambasada ruse në Tiranë reagon për sulmin ndaj ushtarëve shqiptarë në Gramsh

Ambasada ruse ka reaguar për incidentin që ndodhi në Gramsh dy ditë më parë.

Ambasada sqaron se nuk ka marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim.

Sipas trupës diplomatike ruse në vend, i është dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për t’i vënë në dijeni për detajet e ngjarjes.

“Misioni diplomatik informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat”, thuhet në reagim. Ambasada nënvizon se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procedurale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të degës konsullore të ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.

Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë ‘blogerë’ dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”./Euronews.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share