AlternAtivA: Të rinjtë nuk shohin perspektivë në Maqedoni, sepse pushteti është i korruptuar!

Alternativa përmes një kumtese ka akuzuar pushtetin se po detyron të rinjtë të largohen nga vendi i tyre sepse nuk shohin perspektivë, përcjellë Klan M.

”Meqenëse lëvizja e lirë e njerëzve është një fenomen demokratik, jo githmonë do kemi njerëz që do të zhvendosen nëpër vende të ndryshme të botës për arsye personale, por kur migrimi perceptohet si e vetmja shpresë dhe rrugëdalje për shumicën e popullatës, atëherë kemi të bëjmë me një dukuri të frikshme me përmasa eksodi, që duhet analizuar thellë dhe duhet reaguar shpejtë.

Sot flitet për shumë rreziqe që i kanosen shoqërisë sonë, duke nisur prej asaj ekonomike, shëndetësore, arsimore etj. por duhet kuptuar se të gjitha këta janë vetëm shkaqe që kanë një pasojë të përbashkët – ajo është ikja masive e të rinjve si rezultat i humbjes së shpresës se këtu mund të bëhet më mirë. Nga të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë, shihet se në 20 vitet e fundit nga shteti kanë ikur mbi 13% e popullatës; përqindja e mortalitetit është më e madhe se e natalitetit; janë boshatisur gjithsej 207 vendbanime; dhe nga 80 komuna, 65 prej tyre kanë shtim natyror negativ. Edhe përskaj këtyre shifrave tmerruese, akoma nuk shohim politika adekuate dhe afatgjate për stagnimin e tyre.

Kështu, jemi dëshmitarë se çdo ditë e më shumë të rinjtë e Maqedonisë së Veriut po e braktisin  vendin e tyre, duke kërkuar perspektivë jashtë vendit. Është për të ardhur keq kur i sheh kolona të rinjsh, sepse familjet e tyre kanë investuar në shkollimin, edukimin dhe mirëmbajtjen e tyre, që përfundimisht institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut në vend t’i punësojnë, por ata nuk i përfillin fare dhe i trajtojnë sikur të jenë armiq ose, edhe më keq, sikur të jen të padukshëm e nuk ekzistojnë fare! Për të rinjtë dhe të rejat shqiptare pozicione të caktuara, si ato në Agjencinë për Komunikime Elektronike ose në Aviacion, janë ëndrra të paarritshme, sepse këto vende ruhen për fëmijët e politikanëve të korruptuar të pushtetit. Jorastësisht, sipas anketës së fundit të “Gallup International”, 42% e qytetarëve (pjesa dërmuese e të cilëve ishin të rinj me arsim të lartë) nëse do kishin qenë të pajisur me dokumente të nevojshme, patjetër do të ishin larguar nga vendi i tyre.

Është ironi e vërtetë, sepse në kohën kur ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk ka asnjë strategji për rikthimin e të rinjve në vend, ose ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi që mburret me mbylljen e marketeve, ndërsa nuk ofron asnjë opsion për përmirësimin e kushteve dhe ngritjen e standardit jetësor, të rinjtë dhe të rejat tona, që kanë braktisur vendin e tyre, i shohim çdo ditë duke u avancuar nëpër qendrat klinike në Gjermani dhe kudo në botë” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Alternativës. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share