Alternativa ka akuzuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin se po punëson familjarë të tij, këtë rast duke aluduar tek nipi i tij Drin Ahmeti pasi bleu qendrën tregtare ”Soravia”.
”Vetëm pak ditë pasi që një nip 24-vjeçar i Ali Ahmetit e bleu qendrën tregtare “Soravia”, një nip tjetër i Ali Ahmeti është emëruar Sekretar i Parë i Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bruksel. Pas Drin Ahmetit, që doli se kishte “shkathtësi të veçantë afariste”, nipi tjetër, Besian Ahmeti, doli se paska “shkathtësi të veçantë diplomatike” dhe kjo paska qenë arsyeja që ta emërojnë në diplomaci, pavarësisht se stazhi i tij është më pak se një vjet, ndërsa përvoja diplomatike është ZERO.
Natyrisht, siç duket, në këto raste më me rëndësi se gjithçka është mbiemri Ahmeti dhe lidhja familjare me Ali Ahmetin. Në vend se Bujar Osmani t’i avancojë e dërgojë në diplomaci dhjetëra shqiptarë me përvojë, që me vite rrinë korridoreve të MPJ-së dhe askush nuk i përfill, ai e merr një çun fare të ri e të papërvojë dhe e dërgon në kryeqendrën e diplomacisë.
Kjo le që është e dëmshme për diplomacinë e vendit tonë, le që është imazh i keq për Maqedoninë e Veriut, por është dëshpëruese edhe për secilin shqiptar të ri që nuk e ka xhaxha Ali Ahmetin dhe që nuk e ka mbiemrin Ahmeti. Prandaj, nuk mund të mos pyesim “edhe sa nipa i ka “pa rehatu” Ali Ahmeti? Që t’u vijë rendi edhe ndonjëherë edhe të rinjve të tjerë shqiptarë.
Sidoqoftë, AlternAtivA kërkon hetim për emërimin e Besian Ahmetit në
Ambasadën në Bruksel, si dhe shpjegime e përgjegjësi nga ministri i Jashtëm për këtë emërim, thuhet në kumtesën e Alternativës. /KlanMacedonia/