“MANDATET E DEPUTETËVE JANË FITUAR NËN EMRIN DHE LOGON E PARTISË”
Partia Alternativa i kërkon deputetit, tani më të pavarur, Skender Rexhepi që të kthejë mandatin e tij, pasi ky i fundit dje vendosi që t’i ndajë rrugët me partinë pjesë e së cilës ka qenë deri më tani. Kërkesën e parashtruar përmes një komunikate për media, Alternativa e bazon në pretendimin se, Rexhepi e ka fituar mandatin nën emrin e partisë dhe jo si kandidat i pavarur.
ALTERNATIVA
“Meqë mandatet e deputetëve të kësaj përbërjeje parlamentare, rrjedhimisht edhe të Alternativës, janë fituar nën logon dhe emrin e partisë, e jo si kandidatura të pavarura, shpresojmë që deputeti Skender Rexhepi – në emër të moralit politik dhe detyrimit ndaj strukturave partiake që e kanë bërë deputet – ta kthejë mandatin e fituar në emër të partisë, për çka Alternativa do të jetë mirënjohëse dhe falënderuese për punën e deritanishme, thuhet në kumtesën e Alternativës”.
Nga kjo parti kanë shtuar më tej se, vendimi i deputetit në fjalë ky vendim nuk ndikon me asgjë në grupin e deputetëve të Alternativës, as në lëkundjen e shumicës parlamentare, por as në pjesëmarrjen e Alternativës në pushtetin ekzekutiv.
“Megjithëse është indikative që kjo tërheqje e tij vjen pikërisht në ditët kur opozita maqedonase organizon protestë për ta sulmuar shumicën parlamentare, kjo mbetet një pyetje që duhet ta sqarojë vetë ai”.
Deputeti Rexhepi dje njoftoi organet e Kuvendit se tani e tutje do të veprojë si deputet i pavarur në Kuvend. Ai tha se, vendimin e ka marrë sepse, nuk është realizuar asgjë nga ajo që kishte pritur më herët dhe për shkak se, pas kongresit të partisë është thelluar edhe më shumë njëmendësia në udhëheqësinë më të ngushtë.