I ftuar në emisionin Debat Plus, Azir Aliu nga koalicioni VLEN, theksoi se për herë të parë, dy kandidatë shqiptarë janë duke u përballur në një garë që deri më tani është karakterizuar nga një qasje e qetë dhe europiane. Megjithëse ka tensione politike, Aliu vëren se ato janë mbajtur brenda kufijve të pranueshëm.
Kandidatët në fjalë, Arben Taravari dhe Bujar Osmani, kanë profile të ndryshme. Taravari është përshkruar si një figurë e pavarur dhe e vetë-formuar profesionalisht, ndërsa Osmani ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga BDI-ja për një periudhë prej 22 vjetësh. Aliu sugjeron se ky ndryshim në rrugëtimet e tyre ka ndikuar në mënyrën se si ata janë profilizuar në sytë e votuesve.
“Për herë të parë është një garë mes dy kandidatëve shqiptarë, është një garë tani për tani në nivel të qetë, ka një qasje le të themi shumë erupiane nga të dy kandidatët. Kuptohet se lufta politike eskalon në disa aspekte por deri tani është brenda strukturave. Janë dy kandidatë me profile të kundërta, Arben Taravari është formuar me një punë profesionale vetanake pa ndihmë nga struktura, dhe shteti. Dhe nga ana tjetër kemi Bujar Osmanin me ndihmë 22 vjeçare nga ana e BDI-së. Ideja është se njëri kandidat është profilizuar nga një aspekt politik, dhe tjetri është profilizuar vetë. Ka më shumë kllastera në këto zgjedhja, kemi LSDM-në, kemi VMRO-në, kemi Frontin Europian dhe nga ana tjetër kemi VLEN-in. Pra qytetari ka mundësi të votojë njërin nga kllasterat e partive shqiptare”, tha Aliu./tvklan.mk/