“Albanofobi e tmerrshme” – Alternativa për malltretimin e familjes shqiptare në Serbi: Vuçiqi ua prish ëndrrat Ahmetit dhe Kovaçevskit

Pas njoftimit se një familje shqiptare nga Gostivari është maltretuar në Serbi, sepse një nga udhëtarët në makinë ka pasur një simbol etnik shqiptar në bluzë, AlternAtivA shpreh shqetësimin e saj se Serbia është bërë vend i rrezikshëm për secilin shqiptar që udhëton nëpër këtë shtet, përcjell KlanM.

Nga kjo parti thonë se Vuçiqi ua përmbys ëndrrat për “Ballkan të hapur” krerëve të LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa rastin e lidhin edhe me ngjarjet në Maqedoni, pas vizitës së Albin Kurtit në Çair dhe Tetovë. Sipas Alternativës, edhe në Maqedoni po bëhet fushatë kundër simboleve etnike shqiptare.

“Duke e dënuar këtë akt si shkelje e rëndë e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe albanofobi e tmerrshme, AlternAtivA kërkon informacion zyrtar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut se çfarë masash diplomatike ka ndërmarrë ose do të ndërmarrë Maqedonia e Veriut kundrejt kësaj shkeljeje të marrëdhënieve ndërshtetërore nga Serbia kundrejt Maqedonisë së Veriut? Me këtë rast nuk mund të mos konstatojmë se kjo sjellje albanofobe e Serbisë kundrejt shqiptarëve, kësaj radhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut, flet se në Beograd nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e Millosheviqit dhe se ëndrrat e Kovaçevskit e Ali Ahmetit për “Ballkanin e hapur” ua përmbys  sakaq Vuçiqi kur të dojë e si të dojë. Përveç kësaj, indikative është se ky akt përkon edhe me fushatën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut që bëhet kundër simboleve etnike shqiptare, që janë shfaqur para ca ditësh në një tubim në Tetovë. Zaten, shqetësimi më i madh është se Maqedonia e Veriut, me këtë qeveri, po bëhet poligon i Serbisë”, thuhet në reagimin e Alternativës./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share