SNOPÇE: SHQETËSIMET I NGRITËN QYTETARËT, DETYRA E DEPUTETIT ËSHTË T`I MBROJË
E aktualizoi shqetësimin për katastrofë ekologjike të banorëve të Konjares së Komunës së Petrovecit, kurse kompania e apostrofuar i ka dërguar letër që të kërkojë falje. Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, bëri publike letrën e kompanisë, ku thuhet se nëse nuk kërkon falje, do të përballen në gjykatë, pasi kjo kompani pretendon se bëhet fjalë për shpifje.
“Kjo është letra dhe siç arrita të shoh letra është dërguar nga Euro Progres Dooel, me seli në Konjare të poshtme, nënshkruar nga personi i autorizuar, nuk ka emër, dhe ka vulën e Euro Progresit. Në letër kërkohet që unë në afat prej 48 orëve të kërkoj falje, për shkak të deklaratës sime për MIA.mk” – tha Halil Snopçe.
Deputeti Snopçe tha se ka ngritur shqetësimet sipas kërkesës së qytetarëve, pasi sipas tij, kjo është edhe detyra e deputetit.
“Po të mos e pranoja letrën as që do të dija që ekziston ndonjë kompani me emër të tillë, në asnjë rast gjatë iniciativave të mia qoftë në kuvend apo në media nuk me ka interesuar kompania por interesimi ka qenë në drejtim të zgjidhjes së problemit në favor të qytetarëve, pra unë veproj sipas kërkesës së qytetarëve sepse kjo përbën themelin e angazhimit të një deputeti, siç e shihni prapa meje janë qytetarët e Konjares të cilët kërkonin përkrahje dhe ndihmë” – tha Halil Snopçe.
Banorët e Konjares erdhën në mbrojtje të deputetit të tyre. Thonë se problemi me gërmimet që dëmton tokat e tyre pjellore, daton qëmoti, por janë anashkaluar nga institucionet.
“Ne nuk kemi asgjë kundër kompanisë, por jemi kundër organeve qeverisës të cilët dëmtojnë mjedisin jetësorë ku jetojnë mbi 5.000 banorë, ku ka 450 nxënës në shkollë të cilët pinë ujë të blerë apo që e sjellin nga shtëpia për shkak se uji nuk është i pijshëm” – tha Senad Samiq.
“Institucionet duhet të veprojnë pasi ne kemi dëm të madh atje, si fshatarë nuk na ka mbetur më ekzistencë atje, më nuk ka bujq atje sepse nuk ka tokë pjellore” – tha Halim Emini, banor.
Banorët e Konjares së Shkupit tashmë një kohë të gjatë janë të revoltuar që në fshatin e tyre, sic thonë, bëhen gërmime të jashtëligjshme sipërfaqësore. Gërmimet kanë mbërritur te shtëpitë e fshatit dhe tek ujërat nëntokësor, me cka ndotet uji që shfrytëzohet për pije. /KlanMacedonia/