Aksion i përbashkët RMV – Greqi: Ndalohet trafikimi i 40 kg marijuanë!

Arrestohen dy persona në kufirin me greqinë

Në një aksion të përbashkët të policisë maqedonase dhe asaj greke, në vetëm një javë është parandaluar transporti i dytë ndërkombëtar i drogës në kufirin jugor, me vlerë totale prej 200 mijë euro, njofton KlanM.

Aksioni është zhvilluar mbrëmjen e së enjtes pak para mesnate.

“Më datë 10.08.2023 në orën 23.30 nga punonjësit e policisë kufitare nga Qendra Rajonale Jugore, në afërsi të vendit të quajtur Vrsnik Bara, pranë vijës kufitare me Republikën e Greqisë, janë vërejtur dy persona të cilët kanë hedhur dy thasë nga territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes rrethojës me tela në territorin grek, dhe më pas kanë kaluar vetë vijën kufitare”, tha Suzana Pranjiq Talevska, zëdhënëse e MPB-së.

Siç percjell KlanM komunikatën e MPB-së, për shkak të dyshimit se, në thasë transportohej marihuanë, ekipet e qendrës rajonale “Jug” menjëherë janë koordinuar me kolegët e sektorit për polici kriminalistike, nga sektori për tregti të palejuar me drogë, armë dhe materie të rrezikshme dhe kanë njoftuar shërbimin antidrogë të Greqisë dhe policinë kufitare të shtetit fqinj.

“Si rezultat i aktiviteteve të përbashkëta dhe të koordinuara të nëpunësve policorë nga dy shtetet, për një kohë të shkurtër u gjetën dy thasët me rreth 40 kilogramë marijuanë dhe pak më vonë u privuan nga liria V.H.(36) dhe E.J.(52), të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të dy personat janë ndaluar nga policia greke për procedime të mëtejshme dhe ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse”, tha Pranjiq Talevska.

Talevska, siç njofton KlanM, më tej shtoi se, ky është aksioni i dytë i përbashkët që nga fillimi i gushtit mes dy forcave policore, njoftojnë nga MPB. Gjatë aksionit të parë ishte arrestuar një shtetas grek, tek i cili ishte gjetur drogë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share