KURTI: SULMI PJESË E NJË PLANI MË TË MADH PËR TË ANEKSUAR VERIUN E KOSOVËS
Agjencia e Kosovës për Intelegjencë ka siguruar informacione dhe fakte se në afërsi të kufirit me Kosovën në zonën e Izvorit në Serbi po ndërtohet një bazë ushtarake.
Këtë informatë ua ka ndarë në takimin që kreu i AKI-së Petrit Ajeti ka zhvilluar me Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen.
Kryetarja e këtij komisioni Ganimete Musliu ka thënë se është vërejtur rritja e pranisë të ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën.
E në muajin prill pikërisht ky komision kishte paralajmëruar se qytetarë serbë po stërviten në Rashkë të Serbisë për të ndërmarrë aksione në Kosovë. E kjo sipas Musliut rezultoi të jetë e vërtëtë e që dëshmon profesionalizmin e AKI-së.
Situatën në veri e konsideron ende të tensionuar duke thënë se duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm.
Kryeministri Albin Kurti, në platformën X ka shkruar se policia e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme.
Kurti ka shkruar se kjo do të pasonte me krijimin e një korridori për në Serbi.
“Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
Raporti. Blerta Dalloshi Berisha