Kryetari i BDI-së , Ali Ahmeti mori sot titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj. Në fjalën e tij, ai nuk la pa përmendur transformimin që ka pësuar kryeqyteti i shqiptarëve. Ali Ahmeti tha se ky transformim dhe zhvillim i Tiranës gëzon jo vetëm atë, por edhe çdo shqiptar.
“Unë e njoh Tiranën e ‘91, dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humbëm në Tiranë, nuk e di ku jam. Është një Tiranë tjetër. Krejtësisht! Dhe kjo më gëzon mua, gëzon çdo shqiptar që vjen dhe e viziton. Unë do të doja t’ju falenderoj shumë për këtë nder. Do të perpiqem, Erion, të jem qytetar i disiplinuar. Çfarëdo aktiviteti që ju keni, unë do të jem pjesëtar, se tani është dhe qyteti im. Këtë nder unë e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi, patriotët, të burgosurit politik në shtetin tim dhe Kosovë”, tha Ahmeti.
Kreu i BDI-së së Maqedonisë së Veriut deklaroi se Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për kombin.
“Kjo është Tirana e Adem Jasharit, kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, po kjo është Tirana edhe Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqit. Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur ka parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë, Luan Haradinajt, që si djalin e vet e ka mbajtur nëna Dritë”, tha Ahmeti.