Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pritur në takim Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përcjell KlanM.
Në fokus të bisedës mes Ahmetit dhe Osmanit, siç thonë nga BDI, kanë qenë marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektiva europiane, marrëveshja e arritur me Serbinë si dhe situata në rajon.
“Duke e përgëzuar për procesin e liberalizimit të vizave si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës, Ahmeti dhe Osmani kanë theksuar se në këto çaste vendimtare për të ardhmen europiane të të dy vendeve, është me rëndësi përforcimi i bashkëpunimin dhe konsolidimit të veprimeve deri në finalizimin e qëllimeve. Procesi i ndryshimeve kushtetuese është cilësuar si i domosdoshëm për rrugën europiane të cilën e ka nisur Republika e Maqedonisë së Veriut, ku kryetari Ahmeti e ka informuar presidenten Osmani mbi iniciativën e fundit ku të përfshirë janë të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë në vend”, thuhet në kumtesë.
Ahmeti, siç njoftohet nga shërbimet partiake, ka shprehur qëndrimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të dialogut dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë./KlanMacedonia