Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, sot nga selia blu në Reçicë të Vogël akuzoi subjektet politike shqiptare të cilat pritet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, se kanë shkelur legjitimitetin e votës së lirë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti tha se do të përdorin të gjitha mekanizmat për të mbrojtur legjitimitetin e fituar të Frontit Evropian.
Me akuza për shkeljen e legjitimitetit të fituar dhe Marrëveshjes së Ohrit kreu i BDI Ali Ahmeti në emër të Frontit Evropian akuzoi akuzoi subjektet politike shqiptare të cilat pritet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. E gjithë kjo sipas tij, është se Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, gjë që ndodh për herë të parë në historinë e vendit.
“Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit. Këto rezultate u cënuan dhe vazhdojnë të cënohen nëpërmjet një inzhinjeringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Ali Ahmeti.
Ahmeti, njoftoi se do të përdorin të gjitha mekanizmat për të mbrojtur legjitimitetin e fituar të Frontit Evropian duke shtuar se nuk do të lejohet asesi të shkilet mbi legjitimitetin e popullit.
“Ne po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë dhe ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë për të ardhme europiane”, tha Ali Ahmeti.
Ahmeti shtoi se tashmë nuk bëhet pyetje për pushtet, por për atë se nuk po respektohet vullneti i popullit. Ai shtroi pyetjen se pse shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë nuk duhet të organizohen në parti politike nëse fituesi nuk hyn në qeveri. Ahmeti ftoi qytetarët që t’i bashkëngjiten Frontit Evropian në betejën për respektimin e legjitimitetit të votës së lire./tvklan.mk