MESAZH POLITIKANËVE MAQEDONAS – KY ËSHTË MOMENTI JUAJ HISTORIK PËR TË LEGJITIMUAR KOMBIN
Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u duhen dy parti politike – e treta është e dëmshme, deklaroi kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një aktiviteti partiak në Çair të Shkupit, njofton KlanM.
Sipas liderit të integristëve, pavarësisht se kjo parti kohëve të fundit është në shënjestër të sulmeve të parreshtura që vijnë nga opozita maqedonase dhe shqiptare, sipas Ali Ahmetit, kjo organizatë nuk shuhet.
“Prandaj mos u shqetësoni se cfarë flasin, se kështu fliste edhe Zoran Zaevi nëpër fushata, ku kërkonte dhe mësoi të vetmen fjalë shqipe “BDI në opozitë”. Kështu që, edhe të tjerët që flasin “na marrshin pleshtat”. BDI është e etabluar dhe e organizuar” – tha Ali Ahmeti.
Duke komentuar aktualitetin politik, në veçanti procesin e ndryshimeve kushtetuese, sic njofton KlanM, Ali Ahmeti kishte edhe një mesazh për politikanët maqedonas.
”Nëse jeni patriota, atdhetarë, ky është momenti historik për ju, për të legjitimuar kombin ndërkombëtarisht. Kombin maqedonas, kulturën maqedonase. Keni përkrah bashkëqytetarët tuaj shqiptarë që nuk kontestojnë as gjuhë, e as kulturë” – tha Ali Ahmeti.
Jo vetëm kaq! Ahmeti nuk ka dyshim se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë dhe vendi do të hapërojë drejt BE-së, por, sic njofton KlanM, kishte edhe një mesazh për Brukselin.
“Nuk mund Ukraina të bëhet kandidate për BE-në, pa u anëtarësuar tre vende që për 20 vite presin korridoreve të Evropës – Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi” – tha Ali Ahmeti.
Këto komente, sic njofton KlanM, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, I bëri në evenimentin promovues të projekteve të Sekretariateve pranë Degës së BDI-së në Çair. /KlanMacedonia/