Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në intervistën për RTK-në ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të shprehet haptazi nëse partia e tij Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.
Duke komentuar takimin e bllokut opozitar shqiptar me Kurtin, Ali Ahmeti ka theksuar se deklarata e Mexhitit se Vetëvendosja do të bashkëpunojë me opozitën shqiptare, bie ndesh me zotimet e Kryeministrit Kurti para do kohe në Shkup se lëvizja e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.
“Por, kjo që tha z.Mexhiti nuk përkon me deklaratën e z.Kurti që bëri në Shkup, se LVV-ja nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Është deklaratë e z.Kurti. Nëse ka strategji, taktikë që të kamuflohen e të sofistikohen gjërat nuk është mirë. Le të thuhen hapur gjërat, ne nuk na pengon asgjë” – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Të gjithë liderët e partive më të mëdha shqiptare dje ishin në Prishtinë. Derisa lideri I BDI-së, Ali Ahmeti ishte mysafir në RTK, tre liderët e bllokut opozitar shqiptar të Lëvizjes Evropiane për Ndryshim – Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami, si dhe lideri I ASH-së, Arben Taravari, ishin në takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Në ueb-faqen e Qeverisë së Kosovës është publikuar fotografia dhe komunikata nga takimi ku ka marrë pjesë edhe këshilltari I Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku. /tvklan.mk/