Afrim Gashi për sulmin në veri: Goditje ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Serbia

Sulmi i mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës në një fshat të Zveçanit, me ç’rast ka mbetur i vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur, është shqetësim jo vetëm sepse edhe në vitin 2023 Serbia vazhdon të sillet ndaj fqinjëve si më 1913-të, por edhe sepse sulmet e këtilla mund të jenë shkëndija që mund të krijojnë tension të paparashikueshëm e me pasoja të padëshirueshme për të gjithë ata që besojnë në Ballkanin e paqes e stabilitetit, thuhet në reagimin e kreut të Alternativës, Afrim Gashi.
“Duke e dënuar këtë sulm si goditje ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Serbia, natyrisht përmes grupeve terroriste të armatosura atje, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së dhe BE-së, që të mos lejojnë të na përsëriten skenat e para çerekshekullit dhe mos të lejojnë që konfliktet luftarake të kthehen në brendi të Europës. Ndonëse tavolina e bisedimeve është vendi ku duhet të rrafshohen dallimet dhe Kosova e Serbia të arrijnë normalizimin e marrëdhënieve, kjo natyrisht nuk duhet të nënkuptojë se Serbia mund të sillet ndaj Kosovës si Rusia në Ukrainë, aq më shumë që sigurinë e Kosovës e garanton prania e NATO-s. Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete, mes të cilave nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve të BE-së, andaj mosndëshkimi i Serbisë për agresionin mbi Kosovë e vë në test serioz edhe të drejtën ndërkombëtare, si edhe sigurinë e rajonit që aspiron Bashkimin Europian”, thuhet mes tjerash në reagimin e Gahsit./KlanMacedonia
Lexo gjithashtu
Total
0
Share