Me nderime dhe ceremoni zyrtare kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka pritur në takim në Shkup, kryeparlamentaren shqiptare Eliza Spiropali.
Megjithatë, organizimi kaloi edhe me disa lëshime teknike të cilat u kapën nga kamerat.
Lëshimi i parë ishte mungesa e flamurit shqiptar në një nga shtizat e Kuvendit.
Lëshime u vërejtën edhe në konferencën e organizuar nga kryeparlamentari, i cili fliste herë maqedonisht e herë shqip madje qortoi në një moment edhe përkthyesit.
AFRIM GASHI – KRYEPARLAMENTAR
“Përktheje në shqip atë që e thash në Maqedonisht, këtë që e lexova përktheje në shqip”
AFRIM GASHI – KRYEPARLAMENTAR
Konstatuam se në periudhën e ardhshme Ballkanin e presin edhe sfida të tjera të cilat kërkojnë prej nesh më shumë bashkëpunim mbështetje dhe ndihmë më të madhe të ndërsjellë në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në prosperitet dhe mirëqenije”, tha Gashi.
Kryeparlamentarja shqiptare nga ana tjetër u shpreh e bindur se rotacioni politik që ka ndodhur në Shkup, nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve. Megjithatë edhe gjatë fjalimit të saj kishte probleme teknike.
Teksa ajo po fliste në shqip, gjatë gjithë kohës u shoqërua nga përkthyesi që fliste në gjuhën maqedonase dhe pengoi kamerat të marrin pastër fjalimin e Spiropalit.
ELIZA SPIROPALI – KRYEPARLAMENTARE E SHQIPËRISË
Kam gjithashtu bindje se ndryshimet në ngjyrën e Qeverisjes dhe rotacionit politik në Shkup, nuk duhet dhe nuk do të ndikojë në marëdhënijet mes dy vendeve tona. Por do të jetë pjesë e një cikli progresi të vazhdueshëm të bashkëpunimit mes nesh. Ne jeni të gatshëm të vazhdojmë kontaktet dhe dialogun tonë politik në të gjitha nivelet.
Veç Gashit, kryeparlamentarja shqiptare, Eliza Spiropali u prit në takim po në Kuvend nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ishte shoqëruar nga ish kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe sekretari gjeneral i BDI-së, Faton Ahmeti.
Spiropali në parlament takoi edhe liderin e opozitës kryetarin e LSDM-së Venko Filipce. /tvklan.mk