Aeroplani me të cilin ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov mbërriti në Shkup për Këshillin ministror të OSBE-së ka fluturuar mbi hapësirën ajrore të Turqisë dhe Greqisë, e jo edhe të Bullgarisë, raportojnë mediat ruse. Ndryshimi i linjës së fluturimit është për shkak të refuzimit të autoriteteve bullgare për të lejuar fluturimin e aeroplanit me zëdhënësen e MPJ-së ruse, Maria Zaharova. Fluturimi ka zgjat më shumë se pesë orë.
Në notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, në të cilën kanë pasur qasje mediat ruse, thuhet: “Leja për pjesëmarrje në takimin e lartpërmendur në Shkup i është dhënë ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe delegacionit të tij shoqërues në përputhje me shënimin . Leja nuk vlen për drejtoreshën e Departamentit të informacionit dhe shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, e cila shfaqet në listën e sanksioneve, në përputhje me ligjet e zbatueshme të BE-së.
Zaharova njoftoi në Telegram se vendimi “…nuk është vetëm marrëzi, por marrëzi e rrezikshme e ndonjë shakaxhiu në strukturat e pushtetit në Bullgari”.
“Është fakt se rregullat e trafikut ajror rregullohen nga Konventa e Çikagos për Aviacionin civil ndërkombëtar të vitit 1944. Ai përcakton se territori i një shteti duhet të kuptohet si “territore tokësore dhe ujëra territoriale fqinje”. Hapësira ajrore nuk përfshihet në termin “territor”. Në këtë kuptim, efekti i sanksioneve të paligjshme të Bashkimit Evropian nuk mund të shtrihet në fluturimin e pandërprerë të një aeroplani të një personi, të cilit i ndalohet hyrja në territorin e shtetit”, shkruan Zaharova në Telegram.
Sipas saj, për herë të parë në histori që autoritetet shtetërore ndaluan një person në aeroplan, jo një aeroplan, sepse, sipas vërejtjes së departamentit diplomatik bullgar, aeroplani i MPJ-së ruse ishte lejuar të fluturonte.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov mbrëmë arriti në Maqedoninë e Veriut që të marrë pjesë në Këshillin ministror të OSBE-së.
Në profilin zyrtar në Tuiter të MPJ-së ruse janë publikuar fotografi nga arritja e Lavrovit në aeroportin ndërkombëtar në Shkup, ku mund të shihet se ai është pritur nga ambasadori rus në vend, Sergej Bazdnikin.
Lavrov arriti pas përfundimit të darkës joformale të ministrave pjesëmarrës në takimin e OSBE-së.
Pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse nuk ishte e sigurt për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë pas pushtimit ndaj Ukrainës, por pasi Bullgaria e hapi qiellin dhe lejoi fluturimin e aeroplanit qeveritar rus, ndërsa BE-ja bëri me dije se kjo nuk është shkelje e sanksioneve, nga Moska u konfirmua se Lavrovi vjen në Shkup.
Për shkak të ardhjes së Lavrovit, pjesëmarrjen në takimin e OSBE-së në Shkup e anuluan ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, shefat e diplomacive të vendeve baltike – Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, Margus Cahna, Krishjanis Karinsh dhe Gabrielius Landsbergis dhe ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Shimon Shinkovski vel Sek. .