Nga Koalicioni VLEN kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative për të refuzuar kërkesën e Frontit Evropian lidhur me vendvotimin 2101 në Komunën e Zhelinës, me ç’rast tani pritet të ketë rivotim.
“E përshëndesim vendimin e Gjykatës Administrative, e cila është në një vijë me vullnetin të cilin qytetarët e shprehën më 8 maj. Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie.
Ndryshimi i filluar më 8 maj, ka filluar të realizohet, por që të jetë edhe më i shpejtë dhe më efikas i ftojmë qytetarët e vendvotimit 2101 – Komuna e Zhelinës, që të mërkurën (më datë 22 maj) të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre, të lirë, pa iu nënshtruar trysnive të BDI-së dhe manipuluesve të saj në ikje.
Ndryshimi i nisur nuk ka kthim prapa. Ja VLEN për Zhelinën dhe për çdo qytetar në vendin tone”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.