Abetarja e unifikuar ëndër për mësueset e shkollave shqipe në RMV

SHAQIRI: PO SHIHET ÇDO LLOJ MUNDËSIE LIGJORE, DO TË GJEJMË ZGJIDHJE 

Mësuesja Ferdese Fejzullahu 25 vite është mësuese në shkollën fillore Dituria në Saraj. Ndërsa ëndrra e saj shumëvjeçare për t’i mësuar nxënësit me abetare të unifikuar nuk do të realizohet, raporton Klan M.

“Është shumë e përshtatshme ta kemi të gjithë. Nuk e di ku është ngecja që ende nuk ka ardhur tek ne, por ajo abetare është shumë e përshtatshme. Bile edhe e kemi blerë nga Kosova që ta kemi për vete. Por ajo është neve punojmë me atë që na i japin këtu në Maqedoni” – deklaroi Ferdese Fejzullahu, mësuese.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri tha se ka biseduar me autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë por se duhet kjo çështje të rregullohet me ligjiet e vendit tonë.  Shaqiri tha se pas fillimit të vitit shkollor në shtete fqinje, libri i abetares do të merret dhe do të dorëzohet për shqyrtim në Byronë për Arsim, pas çka do të vijojnë procedurat.

“Që në komunikimet e para që kam pasur me Ministrinë e Arsimit në Kosovë, në të njëjtën kohë me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, kanë qenë procedura që kanë filluar më herët, po shihet çdo lloj mundësie ligjore, brenda ligjeve ekzistuese tona, brenda programeve mësimore, që ajo abetare të vazhdojë rrugëtimin edhe në vendin tone. Jam i bindur se së shpejti do të gjejmë zgjidhje dhe për këtë çështje” – deklaroi ministri Jeton Shaqiri.

Ndryshe prej nesër nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë do të kenë një Abetare të Përbashkët Unike. Përderisa autoritetet e vendit me vite të tëra po kërkojne zgjidhje për të sjell abetaren e unifikuar në vendin tonë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share