AAA-BESA-LD: BE-ja reagon, ndërsa Ali Ahmeti neglizhon dhe nënçmon

AlternAtivA-Lëvizja Besa-Lëvizja Demokratike kanë reaguar për ndryshimet në Kodin Penal, duke thënë se BE-ja reagon ndërsa Ahmeti neglizhon dhe nënçmon, përcjellë Klan M.

”Jemi sot këtu para Misionit të Bashkimit Europian në Shkup për të dëshmuar edhe në mënyrë simbolike se i mbështesim qëndrimet e BE-së kundrejt skandalit të fundit me miratimin e Kodit Penal.

Tashmë nuk është aspak e nevojshme të komentojmë e të shpjegojmë ne për të konstatuar se kush po e keqpërdor “Europën”. Është vetë ambasadori i BE-së ai që ka deklaruar se Komisioni Evropian ka reaguar për përdorimin e flamurit të BE-së për ndryshimet në Kodin Penal dhe se BE-ja e konsideron të papërshtatshme këtë, duke shpjeguar se kjo është një çështje që kërkon diskutim, aq më shumë që këto ndryshime janë rrezik për shtetin e së drejtës përderisa e hapin rrugën e rritjes së mosndëshkimit.

Megjithatë, si kundërpërgjigje për Brukselin, është deklarata e Ali Ahmetit para disa ditëve kur tha se “edhe Brukseli edhe Uashingtoni, kur të hyjnë në analizë më të thellë, do t’i kuptojnë arsyet. Jemi në proces screening-u dhe ndryshimet në drejtësi janë një prioritet”. Kjo përgjigje e tij jo vetëm që e fyen inteligjencën e qytetarëve dhe inteligjencën e Komisionit Evropian, por zbulon se keqpërdorimi është
bërë kryefjala i këtij subjekti. Për faktin se është keqpërdorur flamuri Eropain nuk jemi aspak të çuditur. Ne tashmë jemi mësuar që të keqpërdoren flamujt në realizimin e qëllimeve të tyre dhe kjo ndodh për dekada me radhë. Ata e keqpërdorën flamurin shqiptar për të manipuluar me shqiptarët se e duan interesin e tyre, siç ishte edhe manipulimi me idenë e kryeministrit shqiptar, që tash të deklarojnë se ka mbaruar koha e patriotizmit, për të kaluar pastaj në ndryshimet në Kodin Penal, sepse kjo qenka e nevojshme për reformat në drejtësi dhe këtë na e kërkuaka BE-ja.

E tash kur edhe vetë BE-ja ka reaguar negativisht ndaj këtij ndryshimi, ata përsëri dalin të manipulojnë duke thënë se “mos u shqetësoni, sepse BE-ja e SHBA-ja nuk e kanë kuptuar mirë arsyen e atij ndryshimi në Kodim Penal dhe nuk e dinë sa i rëndësishëm është ky ndryshim”. Ofendim më të madh BE-së dhe SHBA-së, në këto 20 vjetët e fundit, nuk u ka bërë askush.

Sidoqoftë, vërtet ky shpjegim nxit shumë pyetje. Për shembull, cilat ministra të Ahmetit e të kësaj qeverie janë më të mirë në analizën se çka është e mirë për drejtësinë sesa ekspertët e BE-së nëse vërtet janë aq të mirë për t’i vlerësuar ndryshimet e nevojshme? Ku ishin ata për 20 vjet që e lanë të çalojë në këtë mënyrë drejtësia në vend? Cili flamur e ka radhën të manipulohet? A është koha që Europa të marrë leksione nga “ekspertët” e LDSM-së, BDI-së dhe ASH-së analizat në sistemin e drejtësisë? Edhe sa ndryshime jorelevante do të bëhen nën flamurin europian?

Këto janë pyetje që mbase “eksperti i integrimit europian”, z. Ali Ahmeti, mund të përgjigjet në ditët në vijim” – thuhet në kumtesë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share