Elon Musk ka mohuar pretendimet e Ian Bremmer, kreut të konsulencës së rrezikut politik të Grupit Eurasia se ka folur me Vladimir Putin para se të postonte një sondazh në Twitter me sugjerimet e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.
“Kam folur me Putinin vetëm një herë dhe kjo ishte rreth 18 muaj më parë. Tema ishte hapësira”, shkroi Musk në Twitter.
Sjellim në vëmendje se Ian Bremmer, kreu i konsulencës së rrezikut politik të Grupit Eurasia shkroi në një gazetë se Musk i tha atij se presidenti rus ishte “i përgatitur për të negociuar”, por vetëm nëse Krimea do të mbetej nën kontrollin rus, nëse Ukraina do të pranonte një formë neutraliteti të përhershëm dhe nëse Kievi do të njihte aneksimin e Rusisë të Luhanskut, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia.
Bremmer tha se Musk i deklaroi atij se Putin i kishte deklaruar se këto synime do të arriheshin pa marrë parasysh asgjë dhe se ekzistonte mundësia e një sulmi bërthamor nëse Ukraina pushton Krimenë.
Kujtojmë se javën e kaluar, CEO i Teslas u ka kërkuar ndjekësve të tij që të votonin për mënyrat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë. Sugjerimet përfshinin një propozim për të mbajtur votime në pjesë të Ukrainës të pushtuara nga Rusia që Kremlini thotë se i ka aneksuar. Komentet e tij u mirëpritën nga Moska.
Musk sugjeroi gjithashtu se bota duhet “formalisht” të njohë Krimenë, e aneksuar ilegalisht nga Moska në 2014 si pjesë e Rusisë.
Presidenti Putin ka shpallur tashmë katër rajone të Ukrainës si pjesë të Rusisë, pas të ashtuquajturave referendume të denoncuara si mashtrime nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë./tvklan.al