Pasi gjatë ditës së djeshme me shumicë votash, VMRO-DPMNE, ZNAM dhe Levica kaluan interpelancën për shkarkimin e Ilire Dautit nga posti i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, ngjalli reagime të shumta në opinion. Për Frontin evropian interpelanca do të thotë pëlqim për shkarkim kurse kryeparlamentarit Afrim Gashi, tha se “interpelanca nuk ka të bëj me shkarkim por me shprehje të deputetëve”.
Ka reaguar edhe Kryetari i ASH-së dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Taravari ai përmes një statusi në rrjetin social facebook thotë se opozita shqiptare aktron me skena të tilla, dhe se në parlament paguhen për deputetë dhe jo për aktor.
“Hajde se po e besojmë sot se e shkarkuan dje… Por çfarë do na thotë nesër kur do bëj po të njëjtën detyrë?! Në parlament paguhen për deputetë dhe Jo për Aktor!”, ka shkruar Taravari.
Ndaj statusit të Taravarit ka reaguar deputetja Ilire Dauti, ajo duke ironizuar me Taravarin thotë:
“Me qenë Taravar, edhe i shkarkuar mundesh me qenë kryetar, por unë jam Ilire!”
Kuvendi në njoftimin e pasdites sqaroi që ky votim nuk nënkupton edhe shkarkimin e Dautit nga ky pozicion. Nga Lëvizja ZNAM thonë se është i paqartë njoftimi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, që Ilire Dauti nuk do të shkarkohet nga funksioni i kryetares së Komisionit edhe përkundër faktit që mbrëmë kaloi në Kuvend interpelanca për të njëjtën.
Nga ZNAM thonë se opozita duhet të propozojë kandidat të ri për këtë funksion.
“Që nga seanca e djeshme e Kuvendit në të cilën u votua interpelanca për zonjën Dauti, rezultati është shumë i qartë për ne. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka konstatuar se znj. Dauti padyshim e ka shkelur Rregulloren e punës dhe sanksioni për shkeljen e Rregullores është shkarkim për personin që e ka bërë atë shkelje. Për Lëvizjen ZNAM- Për Maqedoninë tonë, me miratimin e interpelancës, edhe Ilire Dauti nuk mund të ushtrojë më funksionin e kryetares në trupin punues të Kuvendit”, thonë nga ZNAM.
Ndryshe, interpelancën kundër Dautit e kishte inicuar partia E Majta, ndërsa për shkarkimin e saj votuan 61 deputetë. /tvklan.mk