Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar përmes një komunikate ndaj rastit të fundit ku një foshnje shtatë muajshe ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.
Nga BDI kërkojnë menjëherë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravarit, pasi siç thonë nga BDI, pesë fëmijë të pafajshëm kanë humbur jetën për shkak të neglizhencës institucionale dhe papërgjegjësisë.
Reagimi i plotë:
Ministri i Vdekjes duhet të jepë dorëheqjen menjëherë—Mjaft Më!
Vdekja tragjike dhe e parandalueshme e një foshnjeje shtatëmuajshe, e konfirmuar tani më zyrtarisht nga Inspektorati Shëndetësor si rezultat i keqtrajtimit të rëndë, shënon një kapitull të errët në historinë e sistemit tonë shëndetësor.
Kjo nuk është një rast i izoluar—pesë fëmijë të pafajshëm kanë humbur jetën brenda vetëm një muaji e gjysmë për shkak të neglizhencës, mungesës së organizimit dhe një dështimi të plotë të udhëheqjes në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në vend që të merret me këto çështje jetike, Ministri i Shëndetësisë ka zgjedhur të merret me politika partiake, duke mbyllur sytë para vuajtjeve të familjeve dhe fëmijëve.
Kjo nuk mund të falet. Ministri tani është kthyer në një simbol të indiferencës dhe paaftësisë në sytë e publikut—një “Ministër i Vdekjes” që ka lënë gjurmë vetëm me tragjedi të parandalueshme dhe shembjen e besimit në sistemin tonë shëndetësor.
BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Shëndetësisë dhe Drejtorit të Klinikës Universitare për Fëmijë.
Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur ndërsa jeta e fëmijëve humbet dhe familjet shkatërrohen për shkak të lojërave politike dhe dështimeve administrative.
Shëndeti dhe siguria e qytetarëve duhet të jenë mbi gjithçka tjetër. Mjaft më!