Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Duke folur pas mbërritjes në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha të mërkurën se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Ajo tha takimet e tilla janë rast i mirë për ta çuar përpara perspektiven evropiane të të gjithë rajonit, por se, sipas saj, në procesin e zgjerimit BE-ja po i bën “padrejtësi” Kosovës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Osmani nguli këmbë se po të ketë vullnet politik nga ana e BE-së mund të gjinden modalitetet që të mandatohet Komisioni Evropian për ta shqyrtuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim.
“Nëse jem e sinqertë, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joevropiane. S’ka asgjë evropiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë, të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm. Jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që përkrahën heqjen e masave e ato tjerat t’i pyesë se çfarë është evropiane të ndëshkosh 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro evropian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën tonë evropiane”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova ka rreshtuar qind për qind politikën e jashtme të saj me atë të BE-së dhe ka qenë e para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë.
“E njerëzit tanë mbesin të ndëshkuar, ndonëse ne plotësuam gjitha kushtet që kërkoi BE-ja. Po ashtu kemi mbi dy vjet që kemi aplikuar për anëtarësim, e aplikimi ynë është ende diku në sirtar e nuk është rishikuar”, tha Osmani.
“Nëse shihni reformat që ka ndëmarrë Kosova, sa i përket reformave e vlerave, jemi të parët në rajon madje edhe para disa shteteve anëtare të BE-së. Por, s’po shohim vullnet politik të nevojshëm nga disa shtete anëtare për të na përkrahur në rrugën tonë evropiane”.
Ajo ka thënë se duhet përfshirë në këtë momentum të zgjerimit të BE-së të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e procesi të jetë i bazuar në merita.
Osmani ka uruar Shqipërinë e Malin e Zi për përparimin e madh në rrugën evropiane, por ka thënë se gjuha pozitive e BE-së ndaj Serbisë po jep mesazh të keq në rajon e veçanërisht në Kosovë.
“Mesazhi që marrim, veçanërisht njerëzit në Kosovë, është se sa më tepër që rreshtohesh me Rusinë, Iranin e Kinën aq më përparim bën, dhe hap klastere të reja e mbyll kapituj në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa nëse je qind për qind e rreshtuar me BE-në, atëherë s’ka përparim. Nuk është ky proces i bazuar në merita”.
Ajo ka përmendur edhe sulmin e fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërsa ka thënë se prapa sulmit ishin bandat serbe.
“Agresioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj Kosovës është kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare e kundër vlerave të fqinjësisë së mirë që janë vlera të BE-së. Muajin e kaluar patëm sulm ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nga bandat serbe, që kishin synim të linin 70 për qind të popullit të Kosovës pa ujë, energji dhe nxemje në dimër. Ngjason me sulmet ruse në Ukrainë në mes të dimrit. Derisa ndodh kjo, e Serbia s’ka marrë përgjegjësi për agresionet e vitit të ardhshëm në Kosovë, ajo po shpërblehet dhe po bën përparime të mëdha me hapjen e kapitujve të ri. Politika që është e bazuar në merita duhet të aplikohet për të gjithë rajonin”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se Serbia po sulmon fqinjtë, e se në Bruksel vjen e flet për integrim evropian.
“Të ulesh në dy karrige përnjëherë, e të ndihmosh Rusinë në luftën në Ukrainë, nuk i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon e përtej. Nuk mund të flasim për paqe e stabilitet në Evropë, pa paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Shteti që vazhdimisht rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor e rrezikon stabilitetin edhe në kontinentin e Evropës”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se Kosova ka rreshtuar qind për qind politikën e jashtme të saj me atë të BE-së dhe ka qenë e para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë.
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit.
Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të forcohet partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përshirë integrimin gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së edhe para se ato një ditë të bëhen edhe formalisht vende anëtare.
Nga ky samit pritet të dërgohet porosia se BE-ja do ta trajtojë procesin e zgjerimit si prioritet të lartë dhe të shprehë interesin që ky proces të përshpejtohet. Kjo është përfshirë edhe në tekstin e Deklaratës së përbashkët të përgatitur për miratim në samit.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Tash ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.
Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do t’u bëhet thirrje që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.
Në veçanti do t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në draftin e tekstit të deklaratës.
Të pranishëm në samit nga Ballkani do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.
Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.