Orët e fundit të Assadit në Siri – mashtrimi, dëshpërimi dhe ikja drejt Moskës

Bashar al-Assad nuk i besoi pothuajse askujt për planet e largimit nga Siria ndërsa po përfundonte sundimi i tij.

Sipas një raporti të reuters, më shumë se njëqind njerëz të afërt me Assadin thuhet se i kanë konfirmuar këto pretendime.

Ai gjeti strehim në Moskë, e cila ka qenë gjithmonë një nga aleatët më të rëndësishme. Ai i la në mëshirë të fatit bashkëpunëtorët e tij.

Disa orë para arratisjes në Moskë, Assad siguroi 30 komandantë ushtarakë dhe të sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes se mbështetja ruse ishte në rrugë e sipër dhe u bëri thirrje forcave tokësore të jenë të durueshme. Kështu ka thënë një nga komandantët që mori pjesë në takim për reuters.

Shumica e burimeve të agjencisë kërkuan anonimitetin për të folur lirshëm për çështje të ndjeshme. Për ish-presidentin folën bashkëpunëtorët e tij, diplomatët, anëtarët e shërbimeve të sigurisë dhe zyrtarë të lartë iranianë.

Të shtunën e kaluar, Assad njoftoi në zyrën presidenciale se do të kthehej në shtëpi. Në vend të kësaj, ai u nis për në aeroport. Ai i kërkoi këshilltares për media, Buthaina Shaaban, që të vinte tek ai në mënyrë që të përgatitnin një fjalim së bashku. Kur mbërriti, kuptoi se nuk kishte njeri atje.

“Assad as nuk u përpoq të luftonte deri në fund, as nuk i thirri ushtarët e tij. Ai i la mbështetësit të përballeshin me fatin e tyre”, tha Nadim Houri, drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Reformën Arabe, një institut rajonal.

Agjencia nuk ishte në gjendje të vinte në kontakt me Assadin në Moskë, ku ai mori azil politik. Sipas dëshmive të njerëzve të afërt me ish-liderin sirian, ai bëri gjithçka për të zgjeruar pushtetin ndërsa askush nuk mund ta merrte me mend se ai kishte në plan të largohej nga vendi.

Familja e Assadit ka pasur lidhje të ngushta për shumë vite me Moskën. Sipas një raporti të organizatës joqeveritare Global Witness, familja Assad ka investuar në pasuri të paluajtshme pas vitit 2012, si rrokaqiejt “Qyteti i Kryeqyteteve” në Moskë. Organizata zbuloi se deri në vitin 2019, familja Assad kishte blerë apartamente në dy rrokaqiejt e Moskës me një vlerë totale prej të paktën 40 milionë dollarësh.

Gruaja e Assadit, Asma thuhet se mbërriti në Moskë me fëmijët e saj disa ditë para rënies së regjimit në Damask. Bashar al-Assad iu bashkua familjes pasi u arratis. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share