Pas përfundimit të një konferencë për media të Frontit për Europë, deputeti Arbër Ademi ka njoftuar se përgatitjet për iniciativën “Rojet e Gjuhës” janë në fazën e fundit. Ai bëri të ditur se janë në pritje të shatorave dhe ulseve që do të vendosen para Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ademi theksoi se ky veprim është pjesë e një nisme të gjerë për të mbrojtur barazinë gjuhësore dhe të drejtat e qytetarëve, duke u angazhuar për të ruajtur një nga arritjet më të rëndësishme të vendit. Kjo iniciativë ka si qëllim të dërgojë një mesazh të qartë kundër çdo përpjekjeje për të ndryshuar ligjin që siguron përdorimin e gjuhëve të pakicave etnike në Maqedoninë e Veriut.
Pjesëmarrësit e iniciativës janë thirrur të qëndrojnë në mënyrë paqësore para Gjykatës Kushtetuese deri më 11 dhjetor, në ditën kur do të shqyrtohet ligji.