Seria e rezultateve të këqija të Real Madridit vazhdoi në San Mames ku Athletic Bilbao fitoi 2-1.
Kjo ishte humbja e pestë në 11 ndeshjet e fundit të gjigantëve madrilen dhe erdhi me një tjetër paraqitje të keqe të Kylian Mbappes.
Por situata mund të ndryshojë së shpejti, raporton AS, duke zbuluar se çfarë ndodhi pas ndeshjes.
“Në dhomën e zhveshjes, ndërsa atmosfera ishte në nivelin më të ulët, Mbappe foli individualisht me disa lojtarë të shquar të ekipit”, raporton AS.
“Ai u tha të njëjtën gjë secilit prej tyre. Ai kërkoi falje dhe tregoi dëshirën e tij për t’u bërë një lider i vërtetë i ekipit të ri”.
“Diçka ndodhi, San Mames është pika kthese e karrierës së Mbappes te Reali”, theksohet në tekst dhe zbulohet se sulmuesi francez ka lënë një shënim në një copë letër në tavolinë pas humbjes ku shkruhej: “Do të tregoj kush jam”.
“Ndryshimi i papritur dhe vendimtar i qëndrimit të Mbappes u prit shumë mirë në sferat më të larta të klubit, por mbi të gjitha në dhomat e zhveshjes”.
“Ishte një mesazh që konfirmon se Mbappe mund të jetë lider i skuadrës”, thekson AS dhe kujton dy penalltitë e humbura të Mbappes në tri ndeshjet e fundit dhe shumë raste të mira të parealizuara.
“Por në dhomën e zhveshjes së San Mames, pas disfatës së fundit, diçka ndodhi. Mbappe reagoi dhe doli para shokëve të skuadrës”, përfundon shkrimi.
Mbappe shënoi 10 gola në 20 ndeshje me fanellën e Realit, por ishte ndër lojtarët më të dobët në ndeshjet e mëdha që përfunduan me disfatë.