Podkasti “Me (t) kast”, Objektet Fetare Islame në RMV – Drejtësi e munguar!

Jeni Xhamia është goditja e fundit e shtetit ndaj muslimanëve. BFI-ja thotë se ka edhe shumë goditje të tjera nga shteti, duke përmendur Xhaminë e Prilepit, e cila, sipas drejtorit të vakëfit të BFI-së, shërben vetëm si banjo publike.

FEHMI EBIBI, DREJTOR I VAKËFIT NË BFI

“Ne kemi edhe shumë goditje të tjera. Kemi probleme në Shtip; ju lutem dërgoni ekipet tuaja atje, do ta shihni xhaminë. Nuk na lejojnë t’i afrohemi me pretekstin se në oborrin e xhamisë ka pasur varre të krishtera. Ndërsa në Strumicë, Orta Xhamija, të cilën e kemi kthyer me shumë probleme. Çarshi Xhamija në Shtip digjet në vitin 2001, po atë vit menjëherë ndërtohet manastiri i Leshkës. Ndërsa, sot e kësaj dite, prej 2001-shit, Çarshi Xhamija në Prilep nuk na jepet leje ta ndërtojmë. Më falni shprehjen: sot Çarshi Xhamija në Prilep shërben si banjo publike,”

Për akuzat nga VLEN, është përgjigjur ish-drejtori nga radhët e BDI-së, Behixhudin Shehapi, i cili ka deklaruar se në vitet që përmend VLEN në reagim nuk është dhënë asnjë vendim për Jeni Xhaminë.

BEHIXHUDIN SHEHAPI, ISH-DREJTOR

“Sa i përket themelimit të muzeut, në nenin 7 të Ligjit të Muzeve qartë tregohet se kush e themelon muzeun dhe prej kësaj del absurditeti i VLEN-it për sulmet dhe akuzat kundër meje se unë paskam qenë ai që kam vendosur themelimin dhe hapjen e muzeut,”

Ish-punëtori i Sulejman Rexhepit, i cili u shkarkua nga Shaqir Fetahu, i ka bërë thirrje këtij të fundit që të mbledhë xhematin dhe të dalë të mbrojë Jeni Xhaminë, duke falur namazin e kësaj të premteje në Jeni Xhami.

MUHAMER VESELI, ISH-DREJTOR NË BFI

“Ku është Shaqir Fetahu? Edhe publikisht e ftoj Shaqir Fetahun: hajde të shkojmë të falim xhumanë në Jeni Xhami, le të na prijë Reis Ulemaja. Jemi të gatshëm kurdo që të na prijë Shaqir Fetahu, pa marrë parasysh pajtimet dhe mospajtimet. Kurdo që të reagojë nga objekti i Jeni Xhamisë dhe fton popullatën myslimane për të shkuar për ta falur xhumanë, që ta kthejmë tjetërsimin e xhamisë, ne të gjithë do të rreshtohemi pas tij,”

Këto komente lidhur me zhvillimet rreth “Jeni Xhamisë” në Manastir dhe shndërrimin e saj në muze të kulturës krishtere-islame, u bënë gjatë podkastit “Me (t) kast” që transmetohet në Klan Maqedoni dhe nëpër rrjete të ndryshme sociale.

Dy edicionet e fundit të këtij podkasti kanë arritur rekord shikimesh brenda pak orësh. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share