Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar 28 Nëntorin si një nga datat më të rëndësishme për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Ai bëri këto deklarata pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“28 Nëntori ka nisur me Skënderbeun në Krujë, ka vazhduar me Ismail Qemalin në Vlorë, por së fundmi në luftën çlirimtare edhe me Adem Jasharin dhe Jasharët këtu në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes shqiptare,” tha Kurti, duke nënvizuar rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët në të gjitha trojet.
“28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive, e identitet kombëtar të shqiptarëve ngado që janë.”
Kurti kujtoi edhe momentin e rëndësishëm të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.
“Me këtë rast dua t’i uroj gjithë shqiptarët kudo që janë për festën e pavarësisë së Shqipërisë, të flamurit kombëtar shqiptar, duke përmendur përveç Prekazit, Vlorës dhe Krujës, gjithashtu edhe Llaushën. Aty, në vitin 1997, Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj e shpallën botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e kryengritjes sonë dhe faktori kryesor që e bëri çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999,” tha ai.
Kurti shtoi se sivjet festohet çerekshekulli nga çlirimi i Kosovës.
Kryeministri i cili më herët bëri homazhe edhe në Vlorë për të shënuar përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, theksoi rëndësinë e lidhjes historike dhe simbolike të këtyre vendeve për të gjithë shqiptarët.