Parkingjet në kate/ Ganiu fajson ish Qeverinë/ Bytyqi: Asnjë projekt i tillë nuk ka përfunduar në Qeveri

Ndërtimi i garazheve në kate të premtuara në fushatën e zgjedhjeve lokale nga ana e Visar Ganiut janë bërë temë diskutimi përsëri, pasi dje zëvendëskryeministri Mexhiti njoftoi ndarjen e mjeteve për parkingun nëntokësor në Sheshin Skenderbeu. Klan Maqedoni për këtë premtim të parazgjedhur bisedoi me kreun e Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Sipas tij, katër garazhet në kate të premtuara nuk janë realizuar për faj të ish përbërjes qeveritare, sipas tij, të njëjtat do të ishin të harruara dhe si problem të zgjidhura nëse do të kishte vullnet nga ish partitë e pushtetit, LSDM-BDI. Ganiu megjithatë harron se jo qeveria, por ai si kandidat në programin parazgjedhor kishte premtuar ndërtimin e parkingjeve.

“Garazhet në kate do të ishin të harruara në komunën e Çairit po të mos bëjë Qeveria bllokada, për shkak se aty e shihte që në çdo anketë, në çdo fizibilitet që e kemi bërë, problematika numër një ka qenë garazhet në kate në Komunën e Çairit. Dikush ka investuar në atë problematikë, për shkak se ka dashur ta mbajë si problematikë në Çair dhe të mos mund ta ngrisim kokën dhe të funksionojmë si njerëz. Edhe ajo me Bexhet Pacollin, do thosha, ideja ishte e zv/kryeministrit që ta sjellim, për shkak se ne do të sillnim një ligj për investime strategjike, por duhet një kompani dhe jo më shumë, dhe këtë mund ta bënte vetëm Bexhet Pacolli. Ne ramë dakord për shkak se ishim nevojtarë dhe donim ta zgjidhnim problemin, e sollën njeriun, e promovuan, u interesua për shkak se ne i kishim me plane biznesi dhe fizibiliteti, edhe ai ishte i interesuar për të hyrë, por pyeste Qeverinë: “A e solli ligjin për investime strategjike?” E bllokoi dhe ne vetëm me atë formë mundëm ta angazhonim kompaninë e tij. Ndryshe, nuk kishim forma tjera, domethënë prapë problemi ishte tek Qeveria” – tha Ganiu.

Por të njëjtën gjë nuk e thotë ish zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, i cili për Klan Maqedoni sqaroi edhe procedurën të cilën është dashur ta ndjekë kompania MABETEX, po edhe pushteti lokal, aso kohe, kur edhe e promovuan si prurje për investim z. Pacolli, që sipas Bytiqit u soll me shumë pompozitet.

“Fatkeqësisht, asnjëherë një propozim i tillë, një propozim në bazë të ligjit për investime strategjike për të ashtu-quajturën garazhet mbi-tokësore në Komunën e Çairit, nuk ka përfunduar deri në Qeveri që të mund të vlerësohet nga komisioni që në atë kohë është udhëhequr njëherë nga kryeministri, pastaj nga unë si zv/kryeministër. Qeveria nuk mund të jetë iniciatore i ndonjë projekti për të cilin do të duhet të ketë investitorë privatë. Investitori privat, në këtë rast një kompani që ishte e interesuar në atë fazë, e njohur botërisht MABETEX, do të duhej së bashku me partnerët lokalë, nëse do i kishte, të sillte propozime në Qeveri, që Qeveria pastaj të mund ta vazhdonte si iniciativë. Fatkeqësisht, kishte shumë pompozitet rreth kësaj iniciative. Unë kam pasur edhe takime me kompaninë në fjalë, duke iu drejtuar se në çfarë drejtimi eventualisht mund ta përgatisnim propozimin për investimin, por po them, asnjëherë nuk ka ndodhur dhe nuk është shqyrtuar ndonjëherë në Qeveri një propozim i tillë” – tha Bytyqi.

Ndryshe, në kontratën 2017-2021, kryetari Ganiu kishte premtuar ndërtimin e garazheve në kate edhe atë në këto lokacione: një tek Teatri Shqiptar me kapacitet 120 automjete, një tek rruga Saat Kulla me kapacitet 132 automjete, një tek Çairçanja me kapacitet 100 automjete dhe një nëntokësore në Sheshin Skenderbeu me kapacitet 380 automjete. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share