Deputeti i Frontit Evropian Blerim Bexheti ka kundërshtuar pretendimet e Koalicionit VLEN se eksponentë të lartë të BDI-së kanë pasur një plan për rikthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit nga Hungaria në Maqedoni.
Për të njejtën thotë se do të padis për shpifje Koalicionin VLEN por edhe mediat që kanë transmetuar lajme të pa verifikuara.
BLERIM BEXHETI
“Unë nuk kam marr pjesë në asnjë takim dhe as që kam informacion që ka pasur ndonjë takim të tillë. Kjo është një tentativë e vasalëve të VLEN-it, në këtë rast të gjitha aludimet më çojnë tek krye-hyzmeqari Izet Mexhiti, që është në shërbim të VMRO DPMNE-së. Mendoj që është një shpifje ndaj personalitetit tim në mungesë të argumenteve politike. Si duket Izeti ashtu siç e ka filluar me takime të fshehta, që ndoshta në periudhën e ardhshme do të flasim, edhe ashtu tenton ta vazhdoj por nuk i ndihmon aspak. Këtë lajm të paverifikuar dhe shpifës do t’ju duhet ta dëshmoni në gjykatë, të cilin nuk do ta dëshmoni dot sepse është një gënjeshtër dhe shpifje famëkeqe!”
Ndërkaq, nga Koalicioji VLEN vazhdojnë me akuzat se BDI dëshiron ta kthej Nikolla Gruevski, me qëllim që ata të kthehen në pushtet. Edhe gjatë komunikatës së sotme nga VLEN thonë se BDI ka pasur takime të fshehta për të rikthyer dhe amnistuar Gruevskin.
VLEN
“Plani për rikthimin e Nikolla Gruevskit, orkestruar nga eksponentë të lartë të BDI-së, është një thikë pas shpine ndaj shqiptarëve. Juve, që shqiptarët ju besuan, punuat në prapaskenë për të rikthyer armikun e tyre më të madh. Pse? Për të shpëtuar pushtetin tuaj të kalbur! – kanë reaguar edhe sot nga VLEN. Takime të fshehta, presione mbi institucione dhe përfshirja e zyrtarëve të nivelit më të lartë u përdorën për të rikthyer dhe amnistuar Gruevskin. Por ky plan turpi dështoi, dhe tani shqiptarët kërkojnë përgjigje.”
Nga ky koaliicion thonë se gënjeshtrat, manipulimet dhe pazaret e fshehta do të dalin në dritë, pasi sipas tyre ka ardhur koha për llogaridhënie. /tvklan.mk